Lidhje

Presidenti Bush ishte në krye të ceremonive përkujtimore me rastin e Ditës së Veteranëve - 2002-11-11


Në mbarë Shtetet e Bashkuara dje u zhvilluan ceremoni përkujtimore për nder të burrave dhe grave, që kanë shërbyer në ushtrinë amerikane. Presidenti Bush ishte në krye të ceremonive përkujtimore në Washington me rastin e Ditës së Veteranëve.

Presidenti e filloi këtë ditë nderimesh dhe përkujtimesh në mënyrë të qetë në mes të shiut. Sapo kishte aguar dita, kur presidenti bëri një udhëtim të shkurtër nga Shtëpia e Bardhë në memorialin e Luftës së Vietnamit. Një çadër e mbronte atë nga shiu i furishëm, ndërsa ecte me ngadalë pranë murit prej graniti të zi, duke ndaluar për të biseduar me grupe të vegjël veteranësh të mbledhur aty pranë.

Komentet e para në publik presidenti i bëri në një ambjent më zyrtar: një pritje në Shtëpinë e Bardhë me pjesëmarrjen e ish ushtarëve, disa prej tyre të dobët, shumë të veshur me uniforma të venitura të luftërave të mëparshme.

“Ju keni kujtime të heroizmit dhe vuajtjeve të mëdha. Ju keni parë të këqiat më të mëdha që njerzit mund t’i bëjnë njeri tjetrit si dhe të mirat më të mëdha që njerzit mund t’i bëjnë njeri tjetrit.”

Presidenti Bush foli për rreth 25 milion veteranë ushtarakë që jetojnë sot në Shtetet e Bashkuara. Por në të njëjtën kohë, ai kujtoi shokët e tyre të rënë, të cilët bënë sakrificën e fundit.

Në ceremoninë e zhvilluar në varrezat kombëtare të Arlingtonit në Virxhinia, presidenti nderoi të gjithë ish ushtarët, të gjallë e të vdekur.

“Këto varreza janë vendi i zisë dhe përkujtimit kombëtar.”

Në këto varreza ku prehen breza të tërë ushtarësh, presidenti Bush foli me ngadalë dhe me respekt, duke pasur parasysh ata që e dëgjonin, veteranë me flokë të thinjur dhe radhë të pafund varresh rreth e rrotull.

“Ju jeni dëshmitarë të fitoreve dhe të humbjeve në luftërat tona. Ju ruani traditat dhe vlerat më të mira të ushtrisë tonë. Dhe ju e keni treguar këtë me shembullin tuaj personal. Ju keni një vend të veçantë në jetën e Amerikës dhe Amerika krenohet me ju.”

Presidenti Bush foli gjithashtu rreth sfidave të reja të ushtrisë: lufta kundër terrorizmit dhe kërcënimi irakian. Por në të gjithë ceremonitë me rastin e ditës së veteranëve, në të cilat mori pjesë, presidenti foli me respekt për ata që shërbyen në 2 luftërat botërore, në Kore, Vietnam, Gjirin Persik dhe konflikte të tjera.

“Vendet e lira u janë borxhlinj veteranëve të shumtë e të dalluar amerikanë. Madje të gjithë ne amerikanët u jemi borxhlinj veteranëve tanë për lirinë që gëzojmë.”

Historikisht Dita e Veteranëve filloi si Dita e Armëpushimit, për të përkujtuar armëpushimin e vitit 1918, i cili i dha fund luftës së parë botërore. Në vitin 1954, kjo ditë filloi të festohej si Dita e Veteranëve për të nderuar të gjithë burrat dhe gratë, që kanë shërbyer në forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara. //ze//

XS
SM
MD
LG