Lidhje

Lufta kundër terroristëve dhe trafikantëve të drogës në Kolumbi - 2002-11-11


Siç ka thënë Prokurori i Përgjithshëm, John Ashcroft, “terrorizmi dhe trafiku i drogës janë të lidhur me njëri-tjetrin, lulëzojnë në të njëjtat kushte dhe mbështesin e ushqejnë njëri-tjetrin”. Lidhjet midis organizatave terroriste dhe trafikantëve të drogës marrin forma nga më të ndryshmet, që nga lehetësirat që i krijojnë njeri tjetrit për t’u mbrojtur nga autoritetet e për transport, e deri tek trafikimi i drejtpërdrejtë i drogave nga organizatat terroriste për të financuar me të ardhurat aktivitetet e tyre.

Autoritetet në Kosta Rica dhe Shtetet e Bashkuara kanë arrestuar katër persona nën akuzën për bashkëpunim për të furnizuar me një sasi armatimi me një vlerë prej 25 milionë dollarësh Forcat e Bashkuara për Vetmbrojtje të Kolumbisë, një grup që Sekretari amerikan i Shtetit e ka përfshirë në listën e organizatave të huaja terroriste.

Në shtator qeveria amerikane akuzoi udhëheqësin e këtij grupi, Carlos Castano-Gil për trafikim të bimëve narkotike. Sipas aktpadisë Castano drejton prodhimin e kokainës dhe shpërndarjen e saj në rajonet e Kolumbisë të kontrolluara nga Forcat e Bashkuara për Vetmbrojtje. Sipas akuzës Castano ka nën kontroll laboratorët e prodhimit të kokainës, kontrollon çmimet dhe cilësinë e saj si dhe organizon e ruan transportin e kokainës si brenda dhe jashtë Kolumbisë. Ai është ende i lirë megjithëse në kohën e ngritjes së akuzave tha publikisht se do të dorëzohej vetë për t’u përballur me akuzat në një gjykatë amerikane. Ai krenohet hapur se 70 përqind e fondeve të aktiviteteve të Forcave të Bashkuara për Vetmbrojtje vijnë nga kontrabanda e drogave.

Sipas autoriteteve kolumbiane kjo organizate ka kryer më shumë se 800 vrasje, më shumë se 200 rrëmbime dhe rreth 75 masakra gjatë të cilave kanë humbur jetën mbi 500 persona. Sikur të mos ishin prishur planet për furnizimin me armë, ky grup do të kishte siguruar raketa, 9 mijë pushkë dhe mitrolozë, 300 armë të tjera të lehta, granada leshues me rreth 300 mijë granada si dhe më shumë se 53 milion fishekë.

Grupi Forcat e Bashkuara për Vetmbrojtje të Kolumbisë, nuk është i vetmi që financon aktivitetet e tij terroriste përmes drogave. Në mars Departamenti amerikan i Drejtësisë akuzoi tre anëtarë të Forcave të Armatosura Revolucionare, një grup tjeter kolumbian, se po përpiqej të fuste kokainë në Shtetet e Bashkuara.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit që nga viti 1980 Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë kanë vrarë 13 amerikanë dhe kanë rrëmbyer mbi 100 të tjerë, përfshi 3 misionarë amerikanë të rrëmbyer në vitin 1993 dhe që tani besohet të jenë vrarë. Drejtori i Agjencisë për Kontrollin e Drogës, Asa Hutchinson tha se ngarkesat me drogë të kësaj organizate ishin të destinuara jo vetëm për në Shtetet e Bashkuara por edhe për vende të tjera si Meksika, Surinami, Paraguaji dhe Spanja.

Forcat e Bashkuara për Vetmbrojtje, Forcat e Armatosura Revolucionare dhe Ushtria për Çlirimin Kombëtar, grupi i tretë Kolombian në listën e organizatave të huaja terroriste, janë në rivalitet me njeri tjetrin për të kontrolluar territoret ku prodhohet kokaina në Kolumbi.

Siç tha Prokurori i Përgjithshëm John Ashcroft “Tani që shohim qartë ndërlidhjen djallëzore midis terroristëve dhe drogave, nënshtrimi ndaj njërës prej këtyre kërcënimeve është nënshtrim ndaj të dyjave. Nënshtrimi ndaj tyre nuk është, dhe nuk mund të jetë një alternativë”.

XS
SM
MD
LG