Lidhje

Dënim me vdekje në Iran - 2002-11-11


Në Iran, Hashem Aghajari u dënua me vdekje pasi pati vënë në pikëpyetje të drejtën e klerit mysliman për të sunduar vendin e tij. Zoti Aghajari është anëtar i shquar i një partie partie politike reformiste iraniane, Organizata Muxhahedine e Revolucionit Islamik. Në një gjyq me dyer të mbyllura, pa juri, ai u gjet fajtor nën akuzat për fyerje të islamizmit. Ai u dënua me 74 rrahje me kamzhik, 8 vjet dëbim brenda vendit dhe pastaj ekzekutim. Pritet që ai ta apelojë vendimin.

Zoti Aghajari është profesor historie në Universitetin Modarres të Teheranit. Më 19 qershor ai mbajti një fjalim në qytetin Hamedan, në pjesën perëndimore të Iranit. Në fjalim ai bënte thirrje për një rilindje fetare ndërmjet myslimanëve Shiitë. Ai tha se populli nuk duhet të ndjekë verbërisht udhëheqësit fetarë. Ai po ashtu e krahasoi fuqinë e sundimtarëve klerikë të Iranit me atë të Papëve të Romës.

Në ato vende ku të drejtat e njeriut respektohen, komente të tilla do të ishin një ushtrim fare normal i lirisë së fjalës. Por në Iran të drejtat themelore nuk respektohen.

Që nga revolucioni i vitit 1979, qeveria e Iranit është mbizotëruar nga klerikët, të cilët ndjekin një formë ekstremiste të islamizmit shiit. Regjimi klerikal i Iranit është dënuar në mënyrë të përsëritur nga Kombet e Bashkuara për gjendjen e rëndë të të drejtave të njeriut. Shkeljet e shumta të të drejtave të njeriut në Iran përfshijnë arrestime arbitrare, ekzekutime pa gjyq, zhdukje, përdorim të gjërë i torturës dhe dënime të tilla të padrejta, si të qëlluarit me gurë dhe rrahjet me kamzhik. Teokracia iraniane kufizon lirinë e fesë, të fjalës, të mbledhjeve dhe të organizimit.

Në zgjedhjet e kontrolluara presidenciale dhe parlamentare, shumica e popullit iranian kanë votuar për reforma politike dhe ekonomike. Por ata nuk i kanë dëgjuar sundimtarët e pazgjedhur klerikë të Iranit, të cilët vazhdojnë të ndjekin një politikë të paepur dhe shkatërrimtare, aq sa shumë pak ka ndryshuar në jetën e përditshme të popullit iranian.

Historia, siç ka thënë presidenti Bush, e ka bërë të qartë “forcën e një ideje të thjeshtë: kur ka të drejtë të zgjedhë, populli do të zgjedhë lirinë. Populli i Iranit kërkon të njëjtat liri, të drejta njerëzore dhe mundësi, si edhe popujt e gjithë botës. Qeveria duhet t’u kushtojë vëmendje shpresave të tyre.”

XS
SM
MD
LG