Lidhje

Dita e Veteranëve në Shtetet e Bashkuara - 2002-11-11


Më 11 nëntor në Shtetet e Bashkuara përkujtohet Dita e Veteranëve, rast për t’u shprehur mirënjohje burrave dhe grave që kanë mbrojtur lirinë e Amerikës dhe lirinë në pjesë të tjera të botës.

Dita e Veteranëve e ka origjinën që nga Lufta e Parë Botërore. Shtetet e Bashkuara dërguan trupa në Evropë për të ndalur agresionin e Gjermanisë dhe të të tjerëve. Një armëpushim hyri në fuqi në orën 11 të ditës së 11 Nëntorit 1918. Lufta e Parë Botërore duhej të kishte qenë, siç është shprehur edhe presidenti Woodrow Wilson, “lufta që do t’u kishte dhënë fund të gjitha luftrave”. Por nuk ngjau kështu.

Gjatë shekullit të 20-të, amerikanët dhe aleatët e tyre luftuan e dhanë jetën për të mundur nazistët gjermanë, fashistët italianë dhe agresionin perandorak japonez në Luftën e Dytë Botërore. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre mbrojtën Korenë e Jugut nga agresioni i Koresë komuniste të Veriut dhe Kinës komuniste. Një brez më pas, amerikanët dhe të tjerët luftuan për të penguar që komunistët të merrnin nën kontroll Vietnamin e Jugut.

Më 1980, trupat amerikane ishin në përbërje të forcës shumëkombëshe që u dërgua për të shpëtuar Libanin dhe Grenadën nga lufta civile dhe terrorizmi. Më 1989, forcat amerikane çliruan Panamanë nga sundimi shtypës i gjeneral Manuel Noriegës. Më 1991, një koalicion ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara i dha fund pushtimit brutal të Kuvajtit nga ana e diktatorit irakian Saddam Hussein. Dhe vitin e kaluar, një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara përmbysi Lëvizjen Taleban dhe terroristët e al-Qaidës nga pushteti në Afganistan.

Përmes gjithë këtyre sfidave, ka thënë presidenti Bush, pjesëtarët e Ushtrisë, Marinës, Forcës Ajrore, Marinsave dhe Rojave Kufitare kanë mbrojtur Amerikën dhe kanë çliruar miliona njerëz nëpër botë nga kërcënimet e tiranisë dhe terrorit.

Duke përkujtuar Ditën e Veteranëve në vitin 1954, presidenti Dwight Eisenhower u bëri thirrje amerikanëve që jo vetëm të kujtojnë sakrificat e të gjithë atyre që luftuan, sipas fjalëve të tij, trimërisht, por që gjithashtu t’i përkushtohen detyrës për të punuar për një paqe të qendrueshme. “Sot, gati pas 50 vjetësh, tha presidenti Bush, amerikanët kujtojnë përkushtimin e veteranëve të Shteteve të Bashkuara dhe zotohen për të ruajtur trashëgiminë e drejtësisë, lirisë dhe mundësive për të gjithë”.

XS
SM
MD
LG