Lidhje

Ekspertët diskutojnë mbi angazhimin amerikan në Ballkan - 2002-11-12


Që para se të bënte betimin si president, Presidenti Bush foli për herë të parë për tërheqjen e trupave nga Ballkani. Sot, dy vjet më vonë, pas sulmeve terroriste, luftës në Afganistan dhe në valën e debateve mbi një luftë të mundëshme me Irakun, ekspertët thonë se Ballkani nuk është më përparësi e politikës së jashtme amerikane.

Në një diskutim në qendrën Woodrow Wilson në Uashington, analistët thanë se është shumë e rëndësishme që udhëheqësit e rajonit, të marrin vetë në dorë drejtimin e vendeve të tyre.

Eksperti John Hulsman, thotë se demokracia i ka rrënjët në vendin ku zhvillohet.

”Në një kuptim, tërheqja amerikane është gjëja më e mirë për rajonin e Ballkanit”, tha ai.

Zoti Hulsman, studiues për çështjet e Evropës në Institutin Davis për Studime Ndërkombëtare dhe në Fondacionin Heritage, thotë se stabiliteti në rajon është në interes të Shteteve të Bashkuara, por ai mendon se gabimi është tek premtimet e tepruara që u janë bërë vendeve ballkanike. Madje ai shton se është gënjeshtër t’u thuhet këtyre vendeve, se ato paraqesin një interes jetik për Amerikën.

”Sistemi aktual u jep mundësi udhëheqësve vendas, që t’u shmangen përgjegjësive për hartimin e strategjisë së tërheqjes së trupave të huaja. Atyre duhet t’u thuhet se janë ata janë në radhë të parë përgjegjës për ato që ndodhin në rajon”, tha zoti Hulman.

Damjan de Krnjevic-Miskovic, redaktor i revistës National Interest për politikën ndërkombëtare, mendon po ashtu, se Shtetet e Bashkuara nuk kanë interesa jetësore në Ballkan.

”Interesi më i rëndësishëm i lidhur me sigurinë në Ballkan, nga pikëpamja amerikane, është eliminimi i fondamentalizmit islamik në Ballkan, tha zoti Miskovic.

Megjithatë ai shton se pavarëisht nga këto probleme, Ballkani nuk përbën ndonjë arsye për t’u shqetësuar, pasi shqiptarët në rajon, do të bashkëpunonin në çdo rast me Amerikën, ndërsa sllavët nga ana e tyre nuk kanë lidhje me Xhihadin.

Përsa i takon përfshirjes së Kosovës në hyrjen e projekt-kushtetutës së bashkimit të Serbisë dhe Malit të Zi, ekspertët thonë se paqartësia e rezolutës 1244, është një nga arsyet e debatit të shkaktuar në Kosovë.

Zoti Miskovic thotë se hyrja e projekt-kushtetutës nuk bie në kundërshtim me rezolutën e OKB-së.

”Nëse kjo marrëveshje e re për kushtetutën, kuptohet si shtet pasardhës, sipas ligjit ndërkombëtar, ajo nuk e shkel rezolutën 1244, madje e mbështet atë”, tha ai.

Ndërsa zoti Hulsman thotë se vetë rezoluta me paqartësinë e saj, që sipas tij ishte e qëllimshme, në kohën që u hartua, shkakton probleme. Ai nxjerr prapë në pah nevojën për qartësi dhe për komunikim të hapur.

”Ne duhet të fillojmë të flasim për status përfundimtar sepse përndryshe do të hasim gjithnjë e më shumë situata të tilla, ku askush nuk e di se çfarë po ndodh”, tha ai.

Zoti Hulsman mendon se përpjekjet diplomatike për të përgatitur tërheqjen amerikane, duhet të jenë të kujdeshme dhe se vendet e rajonit duhet të binden që t’i zgjidhin me njëri-tjetrin mosmarrëveshjet midis tyre. //kk//

XS
SM
MD
LG