Lidhje

Sri Lanka shkon drejt paqes - 2002-11-12


Që nga viti 1983 Sri Lanka ka qenë përfshirë nga konflikti i filluar nga grupi separatist, Tigrat Tamilë. Ky grup, ka përdorur fëmijë si ushtarë në sulmet e tij kundër forcave të Sri Lankës. Që nga fillimi i kryengritjes, disa qindra mijë sri lankas kanë ikur nga vendi. Shumë jetojnë si refugjatë në Indi. Shumica e sri lankasve, gati 75 përqind e tyre, janë Sinhalezë. Tamilët përbëjnë rreth 18 përqind të popullsisë së vendit.

Qëllimi fillestar i Tigrave Tamilë ishte pavarësia për pjesët veriore dhe lindore të Sri Lankës, ku jeton pjesa më e madhe e pakicës Tamile. Ka shenja që tregojnë se gjendja ka ndryshuar. Më 2 nëntor, Anton Balasingham, kryenegociatori për Tigrat Tamilë, tha se qëllimi i grupit të tij tani është të hyjë në rrjedhën e përgjithshme politike. Ai i tha këto fjalë në raundin e dytë të bisedimeve për paqe ndërmjet qeverisë dhe Tigrave Tamilë, që u mbajtën në javën e kaluar në Tailandë, me ndërmjetësinë e Norvegjisë.

Christina Rocca, Ndihmës-sekretare e Shtetit për Çështjet e Azisë Jugore, tha se “pas thuajse dy dekadash konflikti etnik, gjatë të cilit kanë humbur jetën 60 mijë njerëz, një proces serioz për paqe ka filluar tani me ndihmën e Norvegjisë dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të disa vendeve të tjera.” Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht procesin e paqes dhe vlerësojnë lart përpjekjet e Norvegjisë për të ndihmuar popullin e Sri Lankës që të zgjidhë mosmarrëveshjet e tij dhe t’i rikthejë vendit sigurinë.

Muajin e kaluar një ekip i sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara përfundoi një projekt për heqjen e minave tokësore në Sri Lankë. Ekipi pastroi minat e vendosura pranë qytetit Jaffna, në pjesën veriore të Sri Lankës. Në fillim të vitit të ardhshëm, pas periudhës së musoneve në pjesën verilindore të vendit, Shtetet e Bashkuara do të fillojnë një program që do të përgatisë njerëz për pastrimin e minave, në mënyrë që sri lankasit të mund ta vazhdojnë vetë këtë punë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Sri Lankë, Ashley Wills, tha se heqja e minave është një hap i rëndësishëm drejt riabilitimit dhe rindërtimit të vendit, që do të forcojë procesin e paqes për të mirën e gjithë banorëve të Sri Lankës.

XS
SM
MD
LG