Lidhje

Drejt takimit të nivelit të lartë të Natos në Pragë - 2002-11-12


Më 21 nëntor, vendet anëtare të Natos do të mblidhen në Pragë. Qëllimi i takimit do të jetë transformimi i aleancës në mënyrë që të përballojë kërcënimet e shekullit 21.

Gjatë Luftës së Ftohtë Natoja përballej me kërcënimet e Bashkimit Sovjetik dhe të satelitëve të tij. Sot pjesa më e madhe e Evropës është në paqe. Por kërcënimet kryesore kësaj paqeje i vijnë nga jashtë Evropës, nga shtete të papërgjegjshme dhe organizata terroriste. Rreziku më i madh do të ishin terroristët që do të zotëronin armë të shkatërrimit në masë.

Përballë këtij realiteti të ri, Natos nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse të veprojë përtej kufijve të saj. Por që Natoja të jetë në gjendje ta bëjë një gjë të tillë, duhet që boshllëku i madh në kapacitetet ushtarake ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre të mbyllet. Ndër të tjera vendet anëtare të Natos duhet të investojnë në sferën e transportit strategjik ajror, të ndërlidhjes së sigurt dhe të mbrojtjes nga armët kimike dhe biologjike.

Në takimin e Pragës, Shtetet e Bashkuara do t’u kërkojnë aleatëve të tyre në Nato që të miratojnë krijimin e forcës së reagimit të shpejtë. Kjo forcë shumëkombëshe do të përbëhet nga trupa tokësore, detare dhe ajrore, që do ta transformojnë Naton në një forcë luftarake moderne, të aftë për t’u dislokuar me shpejtësi në çdo skaj të botës, për të përballuar kërcënimet e reja. Një forcë e tillë do t’i jepte Natos aftësinë të godiste me shpejtësi kur një aleat të sulmohej nga një armik i largët, siç ndodhi me Shtetet e Bashkuara që u sulmuan nga al-Qaida. Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Nato, Nicholas Burns, ka thënë se “Natoja duhet ta krijojë këtë forcë, për të qenë në lartësinë e situatës, në mjedisin e ri terrorist botëror.

Po ashtu Natoja do të ftojë anëtarë të rinj në radhët e saj. Shtetet e Bashkuara mbështesin idenë e një zgjerimi të themeltë të Aleancës. Secili nga anëtarët e rinj do të vazhdojë reformat e tij. Siç ka thënë presidenti George W. Bush, “Unë e çmoj anëtarësimin në Nato të të gjitha demokracive të Evropës që e kërkojnë një gjë të tillë dhe që janë të gatshme të marrin përgjegjësitë që sjell me vete anëtarësia në Nato.”

Takimi i nivelit të lartë në Pragë mund të jetë një pikë kthese për Naton në se ajo e zhvendos vëmendjen e saj nga Evropa drejt kërcënimeve të reja. Siç ka thënë presidenti Bush, “Në se Natoja ia del mbanë të vërë në jetë këto ndryshime, shpërblimi do të jetë një partneritet thelbësor për sigurimin dhe interesat e vendeve anëtare, sikurse edhe në rastin e Luftës së Ftohtë. Ne nuk mund të humbasim rastin për ta përgatitur më mirë familjen e demokracive transatlantike për sfidat e ardhshme.”

XS
SM
MD
LG