Lidhje

Grupi Xhema Islamije futet në listën e organizatave terroriste - 2002-11-15


Xhema Islamije është një grup ekstremist që përpiqet të krijojë një shtet islamik, i cili do të përfshinte Malajzinë, Singaporin, Indonezinë dhe pjesën jugore të Filipineve. Për t’ua arritur qëllimeve ky grup islamik ka ndërmarrë një numër aktesh terroriste. Shumica dërrmuese e myslimanëve të Azisë Juglindore, nuk pajtohen me veprimtaritë e këtij grupi ekstremist.

Kohët e fundit Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e futi grupin Xhemaa Islamija, në listën e organizatave ndërkombëtare terroriste që u nënshtrohen sanksioneve. Kjo masë u mor me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Australisë, Indonezisë dhe shumë vendeve të tjera. Edhe Bashkimi Evropian e ka shpallur grupin Xhemaa Islamija, grup terrorist.

Shqetësimet lidhur me grupin Xhemaa Islamija u shtuan pas shpërthimeve të 12 tetorit në Bali të Indonezisë. Rreth 200 veta humbën jetën nga këto shpërthime, akti më i rëndë terrorist që prej sulmeve të al-Qaidës kundër Shteteve të Bashkuara më 11 shtator të vitit 2001. Ndërsa hetimet vazhdojnë, nga njoftimet del se po shtohen provat që tregojnë se Xhemaa Islamija ishte përfshirë në shpërthimet në Bali. Veç kësaj disa anëtarë të Xhemaa Islamija, të arrestuar kohët e fundit në Singapor, Malajzi dhe Filipine, kanë konfirmuar për lidhje të dyshimta me al-Qaidën.

Udhëheqës i Xhemaa Islamija është Abu Bakar Bashir, një klerik mysliman, që drejton një shkollë në Solo të Indonezisë. Shkolla inkurajon ekstremizmin islamik, në të njëjtën mënyrë sikurse edhe medresetë, që nxorën ish-Talebanët në Afganistan. Vetë zoti Bashir është një admirues i hapur i Osama bin Ladenit, kreut të rrjetit terrorist, al-Qaida. Zoti Bashir u arrestua kohët e fundit nga autoritetet indoneziane, në lidhje me një numër shpërthimesh në disa kisha të krishtera të Indonezisë, në prag të Krishtlindjes së vitit 2000. Nga këto shpërthime humbën jetën 18 veta dhe u plagosën 50 të tjerë.

Po ashtu për shpërthimet në prag të Krishtlindjes në Indonezi kërkohet nga organet e drejtësisë edhe Riduan Isamuddin, i njohur si Hambali. Ai mendohet të jetë kreu i operacioneve terroriste të Xhemaa Islamija. Ai ka pasur lidhje me komplotet terroriste në Malajzi, Singapor dhe Filipine.

Siç kanë treguar shpërthimet në Bali dhe sulme të tjera terroriste në Azinë Juglindore, terrorizmi përbën një kërcënim për institucionet demokratike dhe perspektivat ekonomike. Linjat ballore të terrorizmit janë kudo, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell. “Reagimi i botës ndaj këtyre krimeve të urryera duhet të jetë i gjithanshëm dhe i paepur.”//xh//

XS
SM
MD
LG