Lidhje

Konferencë për Kosovën në Washington - 2002-11-18


Më 19 nëntor në Washington zhvillohet konferenca: "E Ardhmja e Kosovës", organizuar nga Qendra për Studime Strategjike Ndërkombëtare, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe Projekti i Marrëveshjeve të Paqes të Daytonit. Cilat janë objektivat e kësaj konference? VOA intervistoi Janush Bugajskin, drejtor i Studimeve Evropiane në Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare.

VOA: Zoti Bugajski, cilat janë objektivat e kësaj konference, kush do të marrë pjesë në të dhe çfarë pritet të arrihet prej saj?

JB: Ka ardhur koha të mbahet një konferencë madhore mbi Kosovën, për të çuar më tej dialogun midis politikanëve nga Kosova dhe specialistëve amerikanë si nga organizatat jo-qeveritare, ashtu edhe nga qeveria. Ka disa arësye për zhvillimin e konferencës tani: jemi në mes të mandatit të presidentit Bush dhe ka ardhur koha të merren disa vendime për Kosovën, së dyti, Ballkani ka nevojë për stabilitet dhe siguri të plotë që përkon edhe me afatin për diskutimin e statusit të Kosovës, dhe së treti, do të përmendja kontributin e mundshëm të Kosovës në fushatën kundër terrorizmit. Vetëm një shtet i pavarur do ta jepte më mirë një kontribut të tillë. Ka ardhur koha që t’i jepet fund varësisë, për të parë përtej saj. Nga Kosova kemi ftuar udhëheqësit kryesorë politikë, përfaqësues të oganizatave jo-qeveritare, e figura të shtypit dhe nga Shtetet e Bashskuara kemi ftuar zyrtarë nga Departamenti i Shtetit, nga agjencitë e tjera qeveritare, nga Kongresi, përfaqësues të shtypit dhe biznesit. Presim më tepër se 100 pjesëmarrës në këtë konferencë. Presim të vijë edhe senatori Bob Dole, i cili, siç e dini u propozua nga presidenti Rugova si përfaqësues i lartë për Kosovën në Washington. Në fakt Kosova prej kohe duhet të kishte caktuar një përfaqësues në Washington. Shpresojmë të marrin pjesë disa ligjvenës, por meqe Kongresi është me pushime, kjo mund të jetë e vështirë. Presim të vijnë zyrtarë të lartë nga Departamenti i Shtetit. Konferenca sponsorizohet nga tre organziata, midis të cilave Qendra për Studime Strategjike, ku bëj pjesë unë, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe Projekti i Marrëveshjes së Paqes të Daytonit. Shpresojmë që konferenca të japë rekomandime tepër të rëndësishme për administratën dhe kongresin amerikan dhe që ajo të pasohet nga aktivitete të tjera në të ardhmen.

VOA: Ju keni ndjekur zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë dhe në rajon për një kohë të gjatë, si dhe keni mbështetur përpjekjet e shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës. Si do t’i përgjigjeshit kritikëve, të cilët thonë se pavarësia e Kosovës do të krijonte destabilitet në rajon?

JB: Ky është një argument që nuk qëndron, mendoj se e vetmja mënyrë për të arritur qëndrueshmërinë në rajon, është vetëvendosja e popujve të Ballkanit, veçanërisht e atyre vendeve që e kanë puthuajse gati strukturën e shtetit të tyre, pra ato vende që aspirojnë për shtetin e tyre. Jam i mendimit se Kosova i plotëson kushtet për këtë dhe mendoj se kjo do të ndihmonte edhe për zgjidhjen e problemeve në Beograd, i cili do të kishte më pak probleme pa çështjen e Kosovës dhe do ta kishte më të thjeshtë të shkonte përpara drejt Evropës. Përfundimisht, jam i mendimit se Kosova duhet të jetë në OKB-së dhe jo Kombet e Bashkuara të pranishme në Kosovë.

VOA: Statusi përfundimtar i Kosovës varet nga shumë faktorë. A mendoni se shqiptarët e Kosovës i kanë pranuar ato që zoti Steiner i quan ”standarte para statusit” dhe si po punojnë ata për arritjen e këtyre kushteve?

JB: Kjo tingëllon mirë në teori, por me këto standarte mund të shkohet deri në një pikë, me fjalë të tjera qeveria mund të bëjë aq sa lejohet të bëjë, vendi do të zhvillohet aq sa lejohet të zhvillohet e njejta gjë mund të thuhet për ekonominë dhe për sigurinë. Prandaj mendoj se të dyja këtu duhet të merren së bashku, me fjalë të tjera, statusi i Kosovës do të përcaktojë standartet dhe demokratizimi që çon drejt statusit, është një proces i vazhdueshëm.

XS
SM
MD
LG