Lidhje

Zgjerimi i Natos do të forcojë aleancën - 2002-11-19


Presidenti Bush tha se zgjerimi i Natos do të forcojë aftësinë e aleancës për të luftuar terrorizmin global.

Presidenti e bëri këtë koment në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij çek, Vaclav Havel, në Pragë, në prag të takimit të nivelit të lartë të Natos, ku shtatë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore do të ftohen të hyjnë në radhët e aleancës.

Presidenti Bush tha se armiku nuk është Rusia, por terrorizmi global që urren lirinë.

Udhëheqësi amerikan u bëri thirrje vendeve anëtare të aleancës të bashkohen në një koalicion të vullnetshëm për të siguruar çarmatimin e Irakut, por premtoi se do të këshillohet me aelatët e Amerikës para se të marrë ndonjë veprim ushtarak.

Presidenti çek tha se shpreson që Natoja do ta përfshijë çështjen e Irakut në një deklaratë zyrtare.

Presidenti Bush po zhvillon bisedime me disa udhëheqës të Natos para se udhëheqësit e 19 vendeve anëtare të aleancës të mblidhen sot për takimin e nivelit të lartë. Pritet që bisedimet të përqendrohen në modernizimin ushtarak të Natos, në mënyrë që të mund të përballojë kërcënimet e reja ndërkombëtare.

Shtatë vendet që do të ftohen të hyjnë në radhët e Natos janë Rumania, Bullgaria, Lituania, Estonia, Sllovenia dhe Sllovakia.

//rd//

XS
SM
MD
LG