Lidhje

Carla del Ponte: elementë të ushtrisë jugosllave po mbrojnë ish-gjeneralin Ratko Mlladiç - 2002-11-20


Kryeprokurorja e gjykatës së Hagës, Carla del Ponte tha se elementë të ushtrisë jugosllave po mbrojnë një nga dy të pandehurit më të kërkuar për krime lufte, që është ende i lirë, ish-gjeneralin serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç. Pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, të mërkurën në Beograd, zonja del Ponte tha se Ratko Mlladiç po lëvizte lirisht në Serbi dhe Beograd.

”Lidhur me takimin tim të djeshëm me shefin e shtatmadhorisë jugosllave, gjeneralin Branko Krrga më duhet të them se Ratko Mlladiç ende mbrohet. Ai ende qarkullon këtu në Serbi dhe Beograd dhe as ushtria, as policia nuk po bëjnë asgjë për ta arrestuar. Këtë gjendje unë nuk mund ta pranoj”.

Gjenerali Krrga i tha të martën mbrëma zonjës del Ponte se dyshimet e saj ishin të pabaza dhe e ftoi gjykatën të kërkonte në të gjitha objektet ushtarake. ”Mlladiç mbrohet gjithkund në Serbi, por veçanërisht nga një pjesë e ushtrisë, pa dyshim. Kjo është situata”, tha zonja del Ponte.

Zoti Mlladiç dhe ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç janë të dyshuarit më të kërkuar për krime lufte lidhur me masakrën e Srebrenicës, ku u vranë 7 500 burra boshnjakë. Kjo është cilësuar si masakra më të madhe gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë-Hercegovinë. Si Mlladiç, edhe Karaxhiç janë ende të lirë. Besohet se Karaxhiç po jeton në Bosnjë.

Zonja del Ponte tha të mërkurën gjithashtu se e kishte kundërshtuar kërkesën për lirimin e përkohshëm të ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviç. Ajo tha se nuk kishte nevojë që zoti Millosheviç të lirohej përkohësisht. //az//

XS
SM
MD
LG