Lidhje

Moisiu: Shqipëria, kandidate potenciale për t’u futur në NATO - 2002-11-22


Shqipëria e sheh veten si një kandidate potenciale për t’u anëtarësuar në NATO dhe shpreson që kur të mbahet takimi i ardhshëm i nivelit të lartë i aleancës në vitin 2004 ose 2005, ajo të jetë e përgatitur për t’iu pranuar kandidimi.

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu tha të premten në një intervistë për Zërin e Amerikës nga Praga se për anëtarësimin, Shqipëria duhet të punojë për të plotësuar kërkesat për stabilitet politik, zhvillim ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësim të sistemit gjyqësor dhe shkallë të lartë sigurie.

Ai vlerësoi klimën e krijuar në vend, pas marrëveshjes pozitë-opozitë, si një premisë për përmirësimin e gjendjes dhe imazhit të Shqipërisë.

Megjithatë ai shtoi se gjërat nuk mund të ndryshojnë me një lëvizje të çelësit.

Presidenti Moisiu ka propozuar në takimin e NATO-s, krijimin e një grupi mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë, të cilat aspirojnë anëtarësimin në aleancë.

Zoti Moisiu shpjegoi se këto vende do të bashkërendojnë përpjekjet për të arritur standardet e nevojshme për anëtarësim.

Këto vende, siç tha presidenti i Shqipërisë, pranuan që të kenë një program të hartuar mbi bazën e të cilit, kur të vijë koha e takimit të ardhshëm të nivelit të lartë të NATO-s, ato të jenë të përgatitura për t’u integruar.//kk//

XS
SM
MD
LG