Lidhje

Sfidat kryesore në politikën e jashtme amerikane - 2002-11-25


Shtatorin e kaluar, Amerika mbante zi. Në katedralen kombëtare këtu në Washington qindra vetë u mblodhën për të nderuar kujtimin e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit. Presidenti George Bush theksoi para të pranishmëve se Shtetet e Bashkuara kanë një përgjegjësi të qartë përpara për t’iu përgjigjur këtyre veprimeve dhe për të çliruar botën nga e keqja. Gjatë vitit që pasoi sulmet, presidenti bëri të qartë pikëpamjen e tij për rolin që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara si superfuqia e vetme në botë. Megjithëse presidenti shpesh kritikohet në arenën ndërkombëtare për pikëpamjet e tij, shumë ekspertë të politikës së jashtme amerikane, si demokratë ashtu edhe republikanë, i mbështesin pikëpamjet e tij, por shtojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të dëgjojnë gjithashtu opinionin botëror.

Senatori republikan Chuck Hagel thotë se megjithë ndryshimet që solli Lufta e Ftohtë, krijimi i koalicioneve mbetet po aq i rëndësishëm në shekullin e 21-të sa ç’ishte në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë.

“Para nesh ka një numër detyrash, por unë mendoj se nuk do të jemi në gjendje të përmbushim ato që jemi të aftë dhe na takojnë t’i përmbushim, nëse nuk krijojmë këto koalicione interesash të përbashkëta,” tha senatori Hagel.

Ai shton se është i kënaqur nga vendimi i presidentit për ta trajtuar çështjen e Irakut përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Për gjysmë viti kam ngritur zërin për këtë çështje, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë kurrë në gjendje të përballojnë të vetme armiq të tillë të kohës sonë. Duke zgjeruar marrëdhëniet me vendet e tjera, Amerika do të jetë në gjendje të fitojë luftën kundër terrorizmit. Është e pamundur që Shtetet e Bashkuara të pushtojnë Irakun dhe më pas të jenë në gjendje të vendosin ndonjë formë qeverie pas rënies së Sadam Huseinit pa mbështetjen e partnerëve,” thotë senatori.

Ish-ligjvënësi demokrat Lee Hamilton, i cili tani punon si Drejtor i Qendrës për Studime Ndërkombëtare Woodrow Wilson, thotë se fuqia ushtarake e Shteteve të Bashkuara mjafton për të rrëzuar Sadam Huseinin, por do të jetë e pamundur që Shtetet e Bashkuara të krijojnë më pas një Irak demokratik pa krijuar më parë një koalicion:

“Një çështje shumë më e vështirë është qëndrimi që duhet të mbahet ndaj Irakut pas rrëzimit të Sadamit. Ne do të ndeshemi me një sërë problemesh të vështira, si stabilizimi i vendit, gjetja dhe asgjësimi i armëve të shkatërrimit në masë, sigurimi i rezervave të naftës si dhe zgjidhja e krizës humanitare. Për këtë Shteteve të Bashkuara u nevojitet shumë ndihmë,” thotë zoti Hamilton.

Senatori Hagel dhe zoti Hamilton theksojnë se lufta me Irakun nuk duhet parë si e pashmangshme.

“Lufta nuk është e paevitueshme. Kemi mundësi të përballemi me Sadam Huseinin pa qenë nevoja e një pushtimi masiv. Ndoshta në fund mund të arrijmë tek kjo alternativë. Por për momentin kemi një rrugëdalje tjetër, pasi po veprojmë përmes Kombeve të Bashkuara,” thotë zoti Hagel.

Si senatori Hagel ashtu edhe zoti Hamilton pohojnë se sfida kryesore në politikën e jashtme amerikane në të ardhmen është pak e shumë e njëjtë me atë të së kaluarës: përmbushja e interesave amerikane duke bashkëpunuar me të tjerët. //ad//

XS
SM
MD
LG