Lidhje

Presidenti Moisiu i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese të ruajë pavarësinë - 2002-11-25


Me rastin e 10 vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, presidenti Alfred Moisiu i bëri thirrje Gjykatës t’i kundërvihet presionit politik. “E keqja që vjen nga presioni i politikës”, tha presidenti Moisiu, “varet nga shkalla e pranimit të tij nga institucioni i Gjykatës Kushtetuese. Përvoja tregon se gjatë 10 viteve të saj, Gjykata Kushtetuese e ka pasur të vështirë, madje nganjëherë nuk ka qënë e gatshme për t’iu kundërvënë këtij presioni”. Gjykata Kushtetuese tha presidenti Moisiu “duhet të jetë kriteri e modeli për drejtësinë shoqërore, tek i cili ne duhet të mbështesim marrëdhëniet tona dhe respektin për ligjin”. Por “puna e kësaj Gjykate”, theksoi presidenti, “është turbulluar e tronditur jo pak here, ashtu siç edhe vetë ajo, në ndonjë rast ka turbulluar e tronditur jetën politike”.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu e pranon se politika vazhdimisht i ka bërë trysni Gjykatës por shton se Gjykata “ka qënë tërësisht e pavarur dhe nuk i ka përfillur trysnitë e ndryshme që i janë bërë”. Duke folur për nevojën për ndryshimin e Kushtetutës, zoti Abdiu tha se Kushtetuta e Shqiperisë nuk ka nevojë për ndryshime, ajo “nuk ka probleme thelbësore dhe me rëndësi për t’iu nënshtruar ndonjë debati e diskutimi urgjent për ndryshime”. Ajo që duhet përmirësuar tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese “është legjislacioni që akoma nuk është i plotë në funksion të Kushtetutës, prandaj duhet që parlamenti të plotësojë gjithë legjislacionin që i bën jehonë çdo dispozite konkrete të Kushtetutës”.

XS
SM
MD
LG