Lidhje

Inspektorët e OKB-së vazhdojnë kërkimet për armë në Irak - 2002-11-28


Inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët në Irak i dhanë fund ditës së dytë të misionit në kërkim të armëve të ndaluara të shkatërrimit në masë, në përputhje me rezolutën e re dhe të rreptë të Këshillit të Sigurimit.

Inspektorët kontrolluan dy objekte në afërsi të Bagdadit, një fabrikë që prodhon pajisje mekanike dhe një laborator ku prodhohen vaksina për kafshë.

Njoftimet thonë se në inspektimet e mëparshme ishte arritur përfundimi se në vitet 80, në këtë laborator ishin prodhuar agjentë biologjikë vdekjeprurës.

Ekspertët e OKB-së nuk bënë ndonjë koment rreth rezultateve të kërkimeve të së enjtes. Gazetarët nuk u lejuan të shoqëronin inspektorët në këtë objekte.

Të mërkurën ekspertë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe Komisioni i OKB-së për Vëzhgim, Verifikim dhe Inspektim bënë inspektimet e para në Irak pas katër vjetësh.

Inspektorët thanë se autoritetet irakiane bashkëpunuan plotësisht gjatë inspektimit që ata bënë në një konpleks të madh ushtarak në lindje të Bagdadit dhe në një qendër të vogël indistriale në verilindje të kryeqytetit irakian.

Inspektorët thonë se janë rreth 700 objekte që ata kërkojnë të inspektojnë. Sekrertari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, thotë se bashkëpunimi irakian duhet të vazhdojë me qëllim që të shmanget konflikti ushtarak. //kk//

XS
SM
MD
LG