Lidhje

Dy sulme kundër izraelitëve në Kenia - 2002-11-28


Izraelitët u vunë të enjtën në shënjestër nga dy sulme terroriste në Kenia,, përfshi një shpërthim vetëvrasës me makinë që shkaktoi vdekjen e të paktën 13 vetave në një hotel në afërsi të qytetit bregdetar Mombasa.

Një grup që e quan veten Ushtria e Palestinës mori përgjegjësinë për shpërthimin si edhe për sulmin me raketa kundër një avioni izraelit udhëtarësh që ndodhi pak para shpërthimit. Në një deklaratë të lëshuar në Beirut nga grupi Ushtria e Palestinës, thuhet se qëllimi i sulmeve ishte të vihej në pah kauza e refugjatëve palestinezë. Në të thuhet gjithashtu se sulmet përkojnë me vendimin që Kombet e Bashkuara morën në vitin 1947 për të ndarë Palestinën, vendim ky që çoi në krijimin e Izraelit.

Kryeministri izraelit, Ariel Sharon, u zotua se Izraelit do të sulmojë me të gjitha forcat ata që vënë në shënjestër qytetarët e tij.

Në shpërthim humbën jetën tre izraelitë, dy nga të cilët fëmijë, tre autorët e shpërthimit dhe të paktën shtatë persona të tjerë, që besohet të jenë kenianë. 80 persona të tjerë u plagosën. Sipas dëshmitarëve, sulmi ndodhi ndërkohë që në kompleksin e hotelit po hynte një autobus plotë me turistë izraelitë.

Zyrtarët kenianë thonë se po marrin në pyetje dy persona të ndaluar në lidhje me shpërthimin vetëvrasës. Agjencia franceze e lajmeve citon një zyrtar të qeverisë të ketë thënë se të ty të arrestuarit janë me prejardhje arabe.

Pak minuta para shpërthimit, dy raketa u lëshuan nga një makinë në drejtim të një avioni izraelit udhëtarësh, ndërsa po ngrihej nga aeroporti i qytetit Mombasa. Raketat nuk e goditën avionin, i cili u kthye në Izrael pa ndonjë problem. Në bordin e avionit ishin 260 udhëtarë dhe 10 anëtarë të ekuipazhit.//xh//

XS
SM
MD
LG