Lidhje

Presidenti Bush i kërkon Irakut të respektojë afatin e 8 dhjetorit - 2002-12-01


Presidenti Bush vazhdon trysninë ndaj Irakut, ndërkohë që afrohet afati për Bagdadin që të japë një listë të hollësishme rreth armëve të tij të shkatërrimit në masë.

Presidenti Bush tha se inspektorët e armëve mund të jenë kthyer në Irak, por kjo nuk do të thotë se Sadam Huseini është gati për tu çarmatosur krejtësisht.

Ai tha se irakianët vazhdojnë të qëllojnë aeroplanët që patrullojnë zonat e ndaluara për fluturime dhe kanë shprehur mospërfilljen e tyre në mesazhe, dërguar Kombeve të Bashkuara.

“Deri tani shenjat nuk janë inkurajuese. Një regjim që hap zjarr kundër pilotëve amerikanë dhe britanikë nuk tregon se po ndjek rrugën e zbatimit të rezolutës. Një regjim që dërgon letra plot me protesta dhe shpifje nuk tregon se po ndjek rrugën e zbatimit të rezolutës."

Zoti Bush e vuri theksin tek data 8 dhjetor, afati i fundit për Irakun që të japë informacion të plotë rreth armëve të tij të shkatërrimit në masë dhe programeve të raketave që kanë lidhje me to. Presidenti shtoi se Sadam Huseinit i duhet të zgjedhë.

“Kjo deklaratë duhet të jetë e besueshme dhe e plotë. Përndryshe diktatori irakian do ti tregojë botës edhe një herë se ai ka vendosur të mos e ndryshojë qëndrimin e tij.”

Presidenti Bush i bëri këto komente në Pentagon, ku ai nënshkroi ligjin mbi shpenzimet e mbrojtjes. Edhe një herë, ai tha se e shikon përdorimin e forcës kundër Irakut si mjetin e fundit, por ai nuk la asnjë dyshim se është gati të veprojë po të jetë nevoja për ta çarmatosur Sadam Huseinin.

“Lufta është alternativa e fundit për konfrontimin e kërcënimeve. Megjithatë, qetësia e përkohshme dhe mbyllja e syve para rrezikut do të ishin vetëm një prelud i një lufte më të gjerë dhe tmerreve më të mëdha.”

Presidenti Bush i bëri këto komente ndërkohë që inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët vazhduan vizitat e tyre në objekte të dyshuara në Irak. Presidenti e paralajmëroi Bagdadin që të mos vëjë në lojë procesin e inspektimeve.

Nën-presidenti Dick Cheney theksoi çështje të ngjashme në një fjalim që mbajti në Denver të shtetit Colorado, disa orë para presidentit. Ai foli rreth lidhjes midis kërcënimit që përbën Iraku dhe luftës kundër terrorizmit, duke vënë në dukje se grupe si Al-Kaida mund të krijojnë aleanca me Bagdadin me qëllim që të sigurojnë armë të shkatërrimit në masë. Ai shtoi se lufta kundër terrorizmit nuk do të fitohet në qoftë se Iraku nuk çarmatoset plotësisht dhe në mënyrë të verifikueshme. //ze//

XS
SM
MD
LG