Lidhje

Iraku do t'i japë OKBsë listën e programeve të armëve të shtunën - 2002-12-03


Iraku ka deklaruar se do t’i përmbahet afatit të 8 dhjetorit të vendosur nga Kombet e Bashkuara për deklarimin e armëve të shkatërrimit në masë që ende mund të ketë në zotërim, dhe se do ta bëjë këtë një ditë para afatit.

Kjo deklaratë u bë në një ditë kur inspektorët e armëve kontrolluan njërin prej pallateve presidencialë, në kërkim të armëve të ndaluara bërthamore, kimike dhe biologjike, armë të cilat Bagdadi thotë se nuk i disponon më.

Kur inspektorët e armëve ndodheshin për herë të fundit në Irak në vitet 1990-të, u desh që presidenti Sadam Husein dhe sekretari i përgjithshëm i OKBs, Kofi Annan të nënshkruanin një marrëveshje të posaçme që Bagdadi të lejonte inspektorët e armëve të hynin në pallatet presidenciale. Kufizimet e vendosura nga Iraku për inspektimet në të ashtuquajtura objekte të rëndësisë së lartë rezultuan në largimin e inspekorëve dhe në fillimin e sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.

Por inspektimi i pa paralajmëruar i djeshëm i një kompleksi presidencial në Bagdad u krye pa ndonjë incident. Inspektorët u shprehën se ata kishin leje të pakufizuar për të kontrolluar gjithçka që dëshironin. Ekspertët e armëve nuk bënë të ditur nëse zbuluan ndonjë gjë, por në New York, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, shprehu kënaqësi rreth ecurisë së inspektimeve deri tani.

“Kemi vetëm një javë që kemi filluar dhe duket se bashkëpunimi ka qenë i mirë. Por ky proces nuk zgjat vetëm një javë, tha zoti Annan.”

Këto deklarata duket se bien në kundërshtim me deklaratat e presidentit Bush, i cili të hënën u shpreh se ”bashkëpunimi nga ana e Irakut nuk është inkurajues.” Megjithatë zoti Bush ka bindjen se çështja e luftës kundër Irakut nuk varet nga niveli i bashkëpunimit të Irakut, por nga dëshira e Sadam Huseinit për t’u çarmatosur.

“Çështja nuk qëndron tek inspektorët. Çështja është nëse Sadam Husein do të çarmatoset ashtu siç ka premtuar. Ne nuk na intereson të luajmë kukamfshehti në Irak, tha presidenti Bush.”

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Donal Rumsfeld, tha para gazetarëve se raporti me shkrim që Iraku duhet të dorëzojë të shtunën mbi programin e armëve do të krahasohet me ato çka Shtetet e Bashkuara dhe Britania tashmë dinë rreth këtij programi.

“Çështja nuk është që një vend të shkojë dhe të deklarojë se Iraku është spastruar nga të tilla armë, por Iraku vetë duhet të deklarojë se është i pastër duke thënë me ndershmëri se këto janë armët që zotërojmë, ja ku janë, dhe ju lutem asgjesojeni ato për ne, tha zoti Rumsfeld.”

Një zyrtar i administratës së presidentit Bush thotë se lista që do të dorëzohet nga Iraku mund të jetë një dokument tepër i gjatë i shkruajtur në arabisht, dhe se do të duhet një kohë e gjatë për përkthimin e tij para se të bëhet ndonjë vlerësim mbi bashkëpunimin e Irakut.

Por në se lista shkakton fillimin e një lufte kundër Irakut, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, Turqia njoftoi dje se do të lejojë avionët ushtarakë amerikanë të përdorin bazat e saj ajrore për të sulmuar Irakun, me kusht që operacione të tilla ushtarake të ndërmerren në përputhje me miratimin e OKB-së. //ze//

XS
SM
MD
LG