Lidhje

Tani është detyra e Irakut që të bashkëpunojë - 2002-12-05


Regjimi irakian i Sadam Huseinit ka një histori të gjatë agresioni. Në vitet 1980, Iraku filloi luftën kundër Iranit. Më 1990, regjimi i Sadam Huseinit sulmoi dhe pushtoi Kuvajtin. Një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara i dëboi forcat irakiane nga ai vend.

Në vitin 1991, Kombet e Bashkuara i kërkuan Irakut të çarmatoset. Inspektorë të Kombeve të Bashkuara për armët u dërguan në Irak për të siguruar asgjësimin e armëve kimike e biologjike dhe që Iraku do t’i jepte fund programit të tij të armëve bërthamore. Mirëpo, kundërshtimet sistematike të Bagdadit për të bashkëpunuar me inspektorët i detyruan ata të largohen nga Iraku në vitin 1998.

Bota ia ka bërë të qartë Sadam Huseinit që lojrat kanë marrë fund. Në bazë të një rezolute të re të miratuar njëzëri nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, inspektorët ndërkombëtarë të armëve janë kthyer në Irak.

Tani, është detyra e Irakut që të bashkëpunojë. Siç është shprehur presidenti George W. Bush, “Inspektorët nuk janë në Irak për të luajtur kukafshehtas me zotin Sadam Husein. Është Sadam Huseini, theksoi presidenti Bush, ai që ka përgjegjësinë të japë informacion të plotë, ashtu siç është udhëzuar. Çdo vonesë, mashtrim apo kundërshtim do të provojë se Sadam Huseini nuk ka zgjedhur rrugën e veprimit në përputhje me kërkesat e OKB-së dhe se ai ka kundrështuar rrugën e paqes.”

Një regjim, forcat e të cilit hapin zjarr kundër avionëve amerikanë e britanikë që patrullojnë zonat e ndalim fluturimit mbi Irak, nuk ka marrë rrugën e bashkëpunimit. Një regjim që dërgon letra të mbushura me të dhëna të rreme rreth procesit të inspektimit, nuk ka marrë rrugën e veprimit në përputhje me rezolutat ndërkombëtare.

“Shtetet e Bashkuara, ka thënë presidenti Bush, do të vlerësojnë një gjë: A e ka ndryshuar Sadam Huseini qendrimin e tij gjatë 11 viteve të fundit apo jo? A ka vendosur ai të bashkëpunojë vullnetarisht dhe të veprojë plotësisht në përputhje me kërkesat e organizatës botërore apo jo? Shenjat e deritanishme, theksoi presidenti Bush, nuk janë inkurajuese.”

Iraku duhet të veprojë në përputhje me rezolutat e OKB-së që i kërkojnë të çarmatoset. Lufta është mjeti i fundit për të përballuar kërcënimet. “Mirëpo, paqja e përkohëshme duke mohuar apo mospërfillur rrezikun, do të ishte thjesht prelud i një lufte më të gjerë dhe i tmerreve më të mëdha. Amerika, theksoi presidenti Bush, do t’u kundërvihet me kohë rreziqeve, para se alternativat tona të bëhen të kufizuara dhe të dëshpruara. Duke treguar vendosmërinë tonë sot, tha ai, ne po ndërtojmë një të ardhme paqesore.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur qendrimin e tij nëpërmjet miratimit të rezolutës 14-41 të Këshillit të Sigurimit. Siç ka thënë presidenti Bush, “Sadam Huseini do të heqë dorë plotësisht nga armët e shkatërrimit në masë. Nëse ai nuk e bën një gjë të tillë, Shtetet e Bashkuara do të udhëheqin një koalicion për ta çarmatosur atë.”

XS
SM
MD
LG