Lidhje

Ekspertët e OKBsë analizojnë raportin e Irakut mbi programin e armëve - 2002-12-08


Ekspertët e Kombeve të Bashkuara për armët kanë filluar të analizojnë raportin prej 1 mijë e 200 faqesh të Irakut mbi programin e tij të armëve bërthamore, kimike dhe biologjike.

Diplomatët në New York thonë se Këshilli i Sigurimit ka vendosur t’u japë kopje të plota të dokumentit edhe vendeve anëtare të përhershme të Këshillit, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Kryeinspektori i OKB-së për armët, Hans Blix, kishte thënë më parë se do të shpërndaheshin vetëm kopje të redaktuara të raportit, nga të cilat do të hiqej informacioni delikat rreth teknikave të ndërtimit të armëve.

Raporti mbërriti në selinë e Kombeve të Bashkuara dje, afati i caktuar nga Këshilli i Sigurimit për paraqitjen e një raporti të hollësishëm mbi programet irakiane të armëve. Këshilli paralajmëroi se çdo mashtrim apo përjashtim informacioni nga ana e qeverisë së Sadam Huseinit do të sillte pasoja serioze.

Iraku thotë se nuk ka më armë të shkatërrimit në masë dhe se nuk ka në plan të ndërtojë më armë të tilla.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania thonë se kanë prova që Iraku nuk tregon të vërtetën rreth armëve të tij bërthamore, kimike e biologjike dhe presidenti Bush ka kërcënuar për ndërhyrje ushtarake nëse Iraku nuk i dorëzon të gjitha armët e ndaluara.

Ekipet ndërkombëtare të inspektorëve vizituan dy objekte në Irak sot, ditën e 10 të kërkimeve që nga kthimi i inspektorëve në këtë vend muajin e kaluar, për herë të parë pas katër vjetësh.

//rd//

XS
SM
MD
LG