Lidhje

Shtëpia e Bardhë do ta shqyrtojë me kujdes deklaratën 12 mijë-faqëshe të Irakut - 2002-12-09


Shtëpia e bardhë bën të ditur se do ta shqyrtojë me kujdes dhe fund e krye deklaratën 12 mijë-faqëshe të armëve të Irakut dhe nuk do të nxitohet në gjykimin e saj. Megjithatë, zyrtarë të administratës nuk lënë të dyshosh se duke u nisur nga gënjeshtrat e përsëritura të Irakut për vite me radhë, ata kanë dyshime përsa u përket qëllimeve të Bagdatit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, përdor fjalë të tilla si të kujdesshëm, apo metodikë, kur flet për shqyrtimin e deklaratës irakiane nga ana e amerikanëve.

“Ne, thotë zëdhënësi Fleischer, duhet të tregohemi të matur gjatë shqyrtimit të këtij dokumenti, për të përcaktuar me komunitetin ndërkombëtar se çfarë tregon ai për Sadam Huseinin dh çarmatimin e tij.”

Ai thekson se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i përvishen punës për shqyrtimin e dokumentit, me paramendime. Por ai vë në dukje se në të kaluarën Sadam Huseini është përpjekur të mashtrojë Kombet e Bashkuara dhe botën lidhur me qëllimet e tij për të siguruar armë të shkatërrimit në masë.

“Nuk ka dyshim, vë në dukje zoti Fleischer, se historia e Irakut tregon që udhëheqësit e tij gënjejnë. Ata gënjejnë Shtetet e Bashkuara, ata gënjejnë Kombet e Bashkuara, ata gënjejnë inspektorët. Çështja tani është se çfarë përmban ajo deklaratë voluminoze që ata sapo kanë paraqitur. Dhe përgjigja është që ne nuk e dimë akoma.”

Kohët e fundit zoti Fleischer pati thënë se administrata e presidentit Bush ka prova të sakta se Iraku zotëron armë të shkqtërrimit në masë. Tani që Iraku ka paraqitur deklaratën e armëve, reporterët e pyetën atë në se qeveria amerikane do t’ua bëjë të njohura këto prova inspektorëve të armëve të OKB-së dhe publikut. Ai tha se administrata e presidentit Bush është duke i ndihmuar inspektorët, por e pranoi se në këtë mes përfshihen edhe disa shqetësime lidhur me sigurimin.

“Ne duam që inspektorët të kenë sukses në punën e tyre, theksoi zëdhënësi Fleischer. Natyrisht, në të njëjtën kohë ne duam të sigurohemi që burimet dhe metodat e mbledhjes së informacionit të mos rrezikohen nga ndonjë informacion që mund t’u jepet inspektorëve. Mendoj se kjo dihet fare mirë.”

Ndërkohë në Kongres u dëgjuan thirrje të reja që administrata të bëjë të njohura të gjitha provat që mund të ketë lidhur me armët irakiane të shkatërrimit në masë. Duke folur në emër të një grupi ligjëvënësish demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresisti Dennis Kucinich i shtetit Ohio, tha:

“Në se administrata ka prova që kundërshtojnë deklaratën irakiane, ajo duhet t’ua bëjë të njohura këto prova Kombeve të Bashkuara, popullit amerikan dhe mjeteve të informimit. Paraqitja e provave të tilla do të ishte një qendrim i përgjegjshëm.”

Zoti Kucinich tha më tej se fjalët e administratës për luftë janë duke dëmtuar procesin e inspektimeve në Irak, sepse kjo do të thotë që Shtëpia e Bardhë është e përgatitur për një operacion ushtarak, pavarësisht se çfarë ndodh.

Presidenti Bush i ka hedhur poshtë hamendje të tilla në të kaluarën. Ai ka thënë që në se nuk çarmatoset në mënyrë paqësore, Iraku do të çarmatoset me forcë. Por ai ka theksuar gjithashtu se e sheh përdorimin e forcës si mjetin e fundit. //ze//

XS
SM
MD
LG