Lidhje

Ministrja e Jashtme e Maqedonisë takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit - 2002-12-10


Ministrja e Jashtme e Maqedonisë Ilinka Mitreva ndodhet në Shtetet e Bashkuara për takime me zyrtarë të administratës së presidentit Bush si dhe përfaqësues të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Para pak orësh ministrja zhvilloi një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit Colin Powell për të diskutuar mbi sfidat me të cilat ndeshet Maqedonia. Më pas zonja Mitreva iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me këto diskutime.

Ministrja maqedonase theksoi se kishte diskutuar me Sekretarin Powell mbi çështjet më problematike me të cilat ndeshet Maqedonia, siç i cilësoi ajo, ndër të cilat veçoi mbijetesën në kushtet e një ekonomie të rënduar, si dhe të një deficiti të madh buxhetor të trashëguar nga administrata e mëparshme.

Sekretari Powell kishte shprehur angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në kuadër të nismave dhe projekteve rajonale për investim.

Një tjetër çështje që u ngrit gjatë takimit ishte bashkëpunimi rajonal në kontrollin e kufijve dhe në luftë kundër trafiqeve të paligjshme, si dhe përpjekjet e Maqedonisë për integrim në strukturat Euro-Atlantike.

Pas takimit dy zyrtarët e lartë nënshtruan një marrëveshje të përbashkët, të titulluar Marrëveshja për Mbrojtjen e Pasurive Kulturore, që synon të mbrojë objektet fetare, historike dhe kulturore dhe të mundësojë përdorimin e tyre nga persona të ndryshëm pavarësisht nga përkatësia fetare apo etnike.

Zonja Mitreva do t’i vazhdojë takimet nesër me zyrtarë të Departamentit të Thesarit dhe të Shtëpisë së Bardhë. //ad//

XS
SM
MD
LG