Lidhje

Ekipi i OKBsë zgjeron programin e inspektimeve të papritura në Irak - 2002-12-10


Inspektorët e Kombeve të Bashkuara bënë vizitën e parë në një objekt të identifikuar në raportin e Irakut mbi armët e ndaluara që i paraqiti Këshillit të Sigurimit.

Objekti, një uzinë pjesësh për raketa në jug të Bagdadit, është një nga të paktën gjashtë instalime të vizituara sot nga inspektorët.

Mes objekteve të tjera ishte kompleksi bërthamor al-Tuvaitha, të cilin inspektorët e kontrolluan për të katërtën ditë me radhë. Një ekip tjetër inspektimi vazhdon hetimet në një zonë minerare uraniumi, në pjesën parëndimore të Irakut, pranë kufirit me Sirinë.

Një grup i ri inspektorësh mbërriti në Bagdad dje, duke ngritur numrin e tyre në 70. Kombet e Bashkuara shpresojnë që deri nga fundi i dhjetorit të kenë 100 inspektorë në Irak.

Në Washington, ekspertët amerikanë të armëve po analizojnë raportin e gjatë irakian mbi armët e tij bërthamore, kimike dhe biologjike.

Dje, Iraku kritikoi përpjekjet e Washingtonit për të kontrolluar shpërndarjen e raportit, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kërkojnë ta manipulojnë atë për të justifikuar një sulm amerikan.

Iraku ngul këmbe se nuk ka armë të shkatërrimit në masë. Shtetet e Bashkuara dhe Britania thonë se janë skeptikë ndaj pretendimeve irakiane dhe presidenti Bush ka kërcënuar për veprim ushtarak nëse Iraku nuk dorëzon armët e ndaluara që mund të ketë.

//rd//

XS
SM
MD
LG