Lidhje

Lëvizja Hezbollah bën thirrje për shpërthime vetëvrase - 2002-12-11


Udhëheqësi i grupit terrorist Hezbollah, Hasan Nasrallah, bëri thirrje për një fushatë të re shpërthimesh vetëvrasëse në mbarë botën. Në një mbledhje të mbajtur kohët e fundit në Liban, ai i inkurajoi palestinezët të ndërmarrin shpërthime vetëvrasëse kudo në botë. “Mos nguroni për këtë”, tha ai. Fjalimi i tij u transmetua nga një stacion televiziv, pronë e grupit Hezbollah, në Liban.

Grupi Hezbollah ka një histori të gjatë veprimtarish terroriste në Lindjen e Mesme dhe në vende të tjera. Ndërmjet viktimave të tij numërohen izraelitë, libanezë, amerikanë, francezë dhe argjentinas. Në tetor të vitit 1983, anëtarë të grupit Hezbollah organizuan shpërthime vetëvrasëse në kazermat e marinsave amerikanë në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, duke vrarë 241 ushtarakë amerikanë dhe 58 francezë. Grupi Hezbollah mendohet të jetë implikuar gjithashtu në sulmet terroriste kundër kompleksit të ambasadës amerikane në Bejrut më 1983 dhe më 1984. Në vitin 1992 terroristë të grupit Hezbollah vranë 29 veta në ambasadën izraelite në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires. Dhe po grupi Hezbollah dyshohet të jetë autor i sulmit kundër Qendrës Kulturore Hebraike në Buenos Aires, që shkaktoi vdekjen e rreth 100 vetave.

Grupi Hezbollah me bazë në Liban, është një grup ekstremist i Myslimanëve Shia, që përpiqet të shtojë pushtetin e tij në Liban dhe të kundërshtojë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar grupin Hezbollah, si një organizatë të huaj terroriste. Qeveria amerikane do të punojë për t’i nxjerrë para organeve të drejtësisë ata që mbajnë përgjegjësi për krime terroriste.

Udhëheqësi i organizat[s Hezbollahut, Hasan Nasrallah, bëri thirrje për shkatërrimin e Izraelit dhe kritikoi udhëheqësit arabë, që bëjnë thirrje për gjatjen e një zgjidhjeje paqësore për konfliktin izraelito-palestinez. Grupi Hezbollah ka lidhje të ngushta me Iranin. Ai merr ndihma të mëdha financiare dhe ushtarake nga Irani dhe mbështetje ligjistike nga Siria.

Një udhëheqës tjetër i grupit Hezbollah është Imad Fayez Mugniyah. Ai kërkohet nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara për disa akte terroriste, ndërmjet të cilave rrëmbimi më 1985 i një aeroplani të shoqërisë së fluturimeve ajrore, Transworld Airlines, kur u vra një amerikan. Ai mendohet se fshihet në Liban ose Iran. Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacion që do të çonte në arrestimin e tij.

Shtetet e Bashkuara dënojnë nxitjet e grupit Hezbollah për dhunë dhe terror. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe pjesa tjetër e botës. Siç ka thënë presidenti Bush, vendet duhet të bashkohen dhe t’u kundërvihen të gjithë terroristëve. Në këtë botë ka kauza të mira dhe kauza të këqia dhe ne mund të mos jemi dakord me vijën që i ndan ato. Por terroristë të mirë nuk ka. Nuk ka aspirata nacionaliste, apo kujtime të së kaluarës, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara, që do të justifikonin vrasjen me paramendim të njerëzve të pafajshëm. Çdo qeveri që e mohon këtë parim, duke u përpjekur të zgjedhë e të diferencojë miqt e vet terroristë, do të përballet me pasojat e një veprimi të tillë.//xh//

XS
SM
MD
LG