Lidhje

Bush: SHBA do të bëjnë të gjitha përpjekjet që Turqia të anëtarësohet në BE - 2002-12-11


Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë të gjitha përpjekjet që Turqia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Presidenti e bëri këtë koment, ndërkohë që ai përpiqet të sigurojë mbështetjen turke për një ndërhyrje të mundshme ushtarake për çarmatimin e Irakut.

Presidenti Bush nuk po e mban sekret dëshirën e tij për të vendosur marrëdhënie me qeverinë e re turke.

Kur udhëheqësi i partisë turke për Drejtësi dhe Zhvillim Erdogan kërkoi ndihmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, presidenti Bush shprehu menjëherë qëndrimin e tij në mbështetje të Turqisë. “Ne jemi krah për krah me ju në kërkesën që Turqia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.”

Zoti Bush premtoi të bëjë të gjitha përpjekjet në emër të Tuqisë dhe vuri në dukje se në ndjekje të kësaj çështjeje ka kërkuar të kontaktojë udhëheqësit evropianë. Ajo që presidenti nuk përmendi ishte shpresa e tij që Turqia të vërë në dispozicion bazat e saj në rast të një lufte me Irakun, megjithëse ai iu referua rëndësisë strategjike të Tuqisë.

“Ju jeni një aleat strategjik dhe një mik i Shteteve të Bashkuara dhe ne duam të punojmë me ju për ruajtjen e paqes, tha presidenti.”

Para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, zoti Erdogan tha se me presidentin Bush kishin biseduar në përgjithësi lidhur me Irakun. Ai u tha gazetarëve se nuk ishte angazhuar për të mbështetur një operacion të mundshëm ushtarak për çarmatimin e Sadam Huseinit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer e vazhdoi më tej këtë teme, duke thënë se diskutimet mbi Irakun kishin qënë shumë të përgjithshme.

“Të dy udhëheqësit ishin të një mendimi rreth kërcënimit që përbën Iraku dhe rreth rëndësisë së çarmatimit të Sadam Huseinit. Ata diskutuan lidhur me procesin e Kombeve të Bashkuara, i cili shikohet si një proces shumë konstruktiv kur është fjala për tu siguruar që Sadam Huseini përmbush detyrimet ndërkombëtare.”

Zëdhënësi Fleischer tha se është e qartë që Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë interesa të përbashkëta përsa i përket Irakut. Por ai refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve rreth përdorimit të mundshëm të bazave ushtarake të Tuqisë nga Shtetet e Bashkuara.

“Siç e dini, qëndrimi im për një kohë të gjatë ka qënë që të mos komentoj rreth hollësive të veprimit. Mund të them vetëm që Presidenti Bush dhe zoti Erdogan diskutuan mbi mënyrat që ata mund të bashkëpunojnë.”

Mbështetja e Turqisë në rastin e një lufte me Irakun shikohet si vendimtare për Shtëpinë e Bardhë. Turqia është i vetmi vend mysliman anëtar i NATO-s dhe në pjesën jug-lindore kufizohet me Irakun.

Shenjë e rëndësisë që iu dha udhëheqësit të partisë së re turke në pushtet u duk qartë në protokollin që u ndoq në takimin e zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë. Fillimisht, zoti Erdogan ishte planifikuar të takohej vetëm me Këshilltaren e presidentit për çështjet e sigurmit kombëtar, Condoleezza Rice. Por takimi u zgjerua për të përfshirë jo vetëm presidentin Bush por edhe anëtarë të tjerë të lartë të ekipit të tij të politikës së jashtme. //ze//

XS
SM
MD
LG