Lidhje

Ç'mendon bota në vitin 2002? - 2002-12-12


Në raportin e titulluar ”Ç’mendon bota në vitin 2002”, thuhet se vihet re një farë trishtimi global, ndjenja anti-amerikane, si dhe një kundërshtim në shkallë botërore ndaj një lufte të mundshme me Irakun.

Drejtori i Qendrës Kërkimore Pew, Andrew Kohut, i cili drejtoi anketën “Prirjet Globale”, thotë se opinioni në favor të Shteteve te Bashkuara ka rënë ndjeshëm gjatë dy vjetëve të fundit në mbarë botën, por veçanërisht në vendet myslimane. "Në vendet myslimane të përfshira në konflikte vihet re një ndjenjë e vërtetë pakënaqësie, që shkon deri në urrejtje ndaj Amerikës. 60-70 për qind e popullsisë në 5 nga këto vende myslimane, janë kundër politikës amerikane. Vetëm në Uzbekistan banorët thonë se u pëlqen populli amerikan dhe Shtetet e Bashkuara"-thote zoti Kohut.

Zoti Kohut shton se i ka bërë veçanërisht përshtypje zbehja e imazhit pozitiv për Shtetet e Bashkuara në dy vende aleate të rëndësishme myslimane, siç janë Turqia dhe Pakistani.

Ai thotë thotë se ky qëndrim kundër Shteteve të Bashkuara përkon me pakënaqësinë në përgjithësi që njerëzit kudo ndjejnë për botën. Ai tha se kanadezët dhe amerikanët janë popujt më të kënaqur me jetën e tyre, por të tjerët e shikojnë jetën më me pesimizëm. "Japonezët janë ndër më pesimistët. Megjithë nivelin e lartë të të ardhurave për frymë, ndjenja që mbizotëron mes tyre është se kanë arritur pak përparim personal. Po të kihen parasysh të ardhurat që kanë, japonezët duhet të ndiheshin më të kënaqur, por ata nuk janë optimistë. Në Kinë dhe në Indi ndonëse banorët nuk janë të kënaqur me gjendjen e tyre të tanishme, optimizmi që vihet re në vendet aziatike në përgjithësi për mundësinë e përmirësimit të jetës është më i madh. Kjo ndodh në Kinë, në Indi dhe në Vietnam"-thote zoti Kohut.

Studjuesi Kohut thotë se përhapja e SIDË-s shihet si problemi kryesor me të cilin përballet bota. Ai shton se urrejtjet me baza etnike dhe fetare përbëjnë një tjetër shqetësim kryesor, veçanërisht në Evropë, ndërsa shqetësimet në botë në lidhje me kërcënimin që praqesin armët e shkatërrimit në masë zenë vendin e tretë.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit Madeline Albright, që kryeson projektin “Prirjet Globale” të qendrës studimore Pew thotë se anketa është një konfirmim i dyshimit se në botë është shtuar opinioni negativ për Amerikën. "Ky keqësim imazhi ka filluar të ndjehet që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Siç dihet, ekzistonin dy syperfuqi dhe urrejtja ndahej midis dy vendeve kryesore. Kështu që, ne tani po përjetojmë pikërisht pasojat e faktit se tani kemi mbetur vetëm ne"-thote zonja Albright.

Zonja Albright, që ka qenë Sekretare e Shtetit gjatë administratës së Presidentit Clinton, theksoi se raporti nuk synon të kritikojë administratën aktuale të presidentit Bush, por ajo shtoi se shpreson që qeveria do ta marrë në konsideratë studimin gjatë formulimit të politikave amerikane.// lk //

XS
SM
MD
LG