Lidhje

Senatori Lott kërkon ndjesë, por thotë se nuk do të japë dorëheqjen - 2002-12-14


Udhëheqësi i ardhshëm i senatit amerikan, Trent Lott, kërkoi falje për komentet në të cilat ai dukej se mbështet politikat e ndarjes raciale. Gjatë një konference shtypi dje në shtetin Misisipi, zoti Lott tha se nuk do të japë dorëheqjen nga posti i udhëheqësit republikan të senatit, ashtu siç kanë kërkuar disa kritikë të tij.

Zoti Lott dënoi ndarjen raciale dhe racizmin si të pamoralshme dhe u kërkoi amerikanëve ta falin për atë që ai e quajti një gabim të madh.

“Kërkoj falje për hapjen e plagëve të vjetra dhe për prekjen e shumë amerikanëve”, tha zoti Lott.

Këto komente ai i bëri një ditë pasi presidenti Bush e kritikoi, çka përbën një rast të rrallë kur kritikohet një koleg i së njëjtës parti. Senatori Lott tha se Shtetet e Bashkuara do të ishin më mirë sot sikur kandidati presidencial, Strom Thurmond, i cili mbështeste politikat e ndarjes raciale, të ishte zgjedhur president në vitin 1948.

Zoti Lott i bëri këto komente javën e kaluar në një darkë festive me rastin e 100 vjetorit të lindjes së senatorit republikan Thurmond nga Karolina e Jugut, i cili po del në pension.

Komentet e senatorit Lott shkaktuan një reagim të ashpër, që çoi në shtimin e thirrjeve nga demokratët e madje edhe nga disa republikanë për dorëheqjen e tij nga posti i udhëheqësit republikan të senatit.

“Nuk do të jap dorëheqjen në bazë të një akuze që nuk pasqyron karakterin tim.”

Senatori Lott kujtoi kohën kur ndarja raciale ishte në fuqi në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara dhe u zotua t’i përkushtohej krijimit të një shoqërie, ku çdo amerikan ka mundësi për të qenë i sukseshëm.

“Jo vetëm që kam përjetuar punën shkatërrimtare të politikave raciste dhe imorale të së kaluarës, por unë do të bëj çdo gjë brënda kompetencave të mija për të siguruar që ne nuk kthehemi kurrë përsëri në atë lloj shoqërie.”

Kjo ishte falja më e fundit e zotit Lott këtë javë, pasi ai kishte shprehur keqardhje për komentet e tij në deklarata me shkrim dhe në intervista telefonike me rrjete të ndryshme televizive.

Por njoftime të reja gjatë ditëve të fundit sipas të cilave zoti Lott kishte bërë komente të ngjashme dhe kishte mbrojtur praktika të ndarjes raciale në të kaluarën, nxitën ligjvënësit nga të dyja partitë politike si dhe shumë gazeta të njohura amerikane që t’i bënin thirrje senatorit t’i shpjegonte deklaratat e tij.

Komentet e tij në festën me rastin e ditëlindjes së senatorit Thurmond i kanë vënë në pozitë të vështirë republikanët, të cilët po përpiqen të fitojnë mbështetjen e më shumë votuesve afrikano-amerikanë, përkrahës tradicionalë të Partisë Demokrate. Presidenti Bush fitoi vetëm 9 përqind të votave të zezakëve në zgjedhjet e vitit 2000.//kk//

XS
SM
MD
LG