Lidhje

Në Nju Jork hapet ekzpozita "Liria-historia jonë" - 2002-12-20


Një nga dokumenet më të hershme të ekspozuara është një letër e shkruar me dorë e Presidentit George Washington, drejtuar një mikut të tij, më 9 shtator të vitit 1786. Ai deklaron në letër se nuk ka ndërmend të blejë qoftë edhe një skllav tjetër, duke shtuar se kjo është ndër dëshirat e tij për një plan, sipas të cilit t’i jepet fund skllavërisë në Shtetet e Bashkuara.

Letra, e cila i paraprin ndalimit të skllavërisë që u realizua 80 vjet më pas, është tepër intriguese, për arsye se George Washingtoni nuk ishte një personalitet tipik, emri i të cilit të lidhej me lëvizjen kundër skllavërisë. Në fakt, ai vetë ishte pronar i një numri të madh skllevërish. Por cilido emocionohet kur sheh nga afër shkrimin e presidentit të parë amerikan, në një letër intime drejtuar mikut të tij, në lidhje me këtë subjekt të debatueshëm.

Përgjegjësi i ekspozitës, James Basker thotë se ekspozita ”Liria: Historia jonë”, vendos një lidhje të prekshme midis njerëzve në të kaluarën dhe atyre në ditët tona.

"Kjo është një lidhje midis nesh dhe atyre njerëzve realë të së kaluarës që morën vendimet dhe luftuan për arritjen, mbrojtjen dhe zgjerimin e lirisë. George Washingtoni, Phyllis Wheatley, Frederick Douglasi, apo Martin Luther Kingu, të gjithë këta janë njerëz realë, që kanë jetuar në kohë të ndryshme dhe ata bëhen akoma më realë kur shikon këto dokumente të shkruar me dorë apo njollat e djersës në një fjalim të Abraham Linkolnit."-thote zoti Basker.

Ekspozita mbulon një periudhë rreth 200 vjeçare, e cila fillon me një kopje të shtypur të Deklaratës së Pavarësisë të vitit 1776, dhe vazhdon me një afishe me fjalimin që fillonte me fjalët, ”Unë jam njeri...” mbajtur në një marshim të punonjësve të shëndetësisë, nën drejtimin e udhëheqësit të të drejtave civile, Martin Luther King. Marshimi u zhvillua më 4 prill 1968, pikërisht ditën kur u vra Martin Luther Kingu.

Susan Saidenberg, drejtuesja tjetër e Muzeut, thotë se veçanërisht të fuqishme janë objektet e epokës së luftës civile, kur liria në Amerikë po kalonte në një fazë të ripërkufizimit të saj, 90 vjet pas lindjes së Kushtetutës. "Amerikanët, edhe gjatë luftës civile, besonin se vazhdonin të luftonin për mbrojtjen e Kushtetutës si dhe për një republikë që u jepte të drejta të barabarta. Pra, megjithëse kishin kaluar 90 vjet, këta njerëz ende mendonin se po luftonin për Kushtetutën, për flamurin. Dhe kjo është një pjesë tepër e rëndësishme e asaj se çfarë simbolizonte liria",- thote zonja Saidenberg.

Gjatë të gjitha krizave që kanë kaluar Shtetet e Bashkuara, Lufta Civile, sulmi në Pearl Harbor, apo sulmet terroriste të 11 shtatorit - amerikanët kanë debatuar në se duhen ngushtuar apo jo liritë të tyre në interes të sigurisë së vendit. Susan Saidenberg thotë se kur punonjësit e muzeut grumbullonin objektet e koleksionit, pikërisht kjo gjë ishte në qendër të vëmendje së tyre.

"Në ekspozitë pasqyrohen ngjarje në jetën e amerikanëve në një periudhë 200-vjeçare, të cilët kanë sakrifikuar, shpesh edhe jetën e tyre për lirinë. Dhe ndërsa sot meditojmë se cilat janë liritë tona, çfarë dëshirojmë ne të mbrojmë? I hodha një vështrim dokumenteve të përfshira në koleksion dhe duket fare qartë se në këtë vend liria ka një histori të gjatë, por përkufizimi saj është zgjeruar dhe ka ndryshuar së tepërmi në vite", thote zonja Saidenberg.

Të gjitha objektet e ekzpozuara i përkasin Institutit të Historisë Amerikane Gilder Lehrman dhe koleksionit Meserve-Kunhardt. Ekspozita do të qëndrojë e hapur njëkohësisht me serialin 8-javësh në televizionin publik me të njëjtin titull, i cili do të nisë të transmetohet në fillim të vitit 2003.// lk //

XS
SM
MD
LG