Lidhje

Iraku: inspektorët nuk kanë zbuluar asgjë për të mbështetur akuzat amerikane - 2002-12-22


Një zyrtar i lartë irakian thotë se inspektimet e Kombeve të Bashkuara për armët në Irak, që filluan para rreth një muaji nuk kanë zbuluar asgjë që të mbështesë akuzat amerikane dhe britanike, sipas së cilave Bagdadi ka armë të shkatërrimit në masë.

Duke folur dje në Bagdad, Gjeneral Amir al-Saadi i quajti ”gënjeshtra dritëshkurtëra” pretendimet amerikane dhe britanike sipas së cilave deklarata e kohëve të fundit e Irakut nuk i përmbush kërkesat e rezolutës së Kombeve të Bashkuara ku bëhet thirrje për çarmatimin e këtij vendi.

Këshilltari i lartë i Presidentit irakian Saddam Hussein tha se Iraku është i gatshëm t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve mbi programet e armëve. Ai tha se agjentët e shërbimeve sekrete amerikane mund të shkojnë në Irak për të identifikuar objektet që mund të kontrollohen pastaj nga Inspektorët e Kombeve të Bashkuara.

Në Washington, një zyrtar i administratës amerikane tha se mesa duket Iraku nuk ka bërë ”një zgjedhje strategjike”, kur tha se nuk ka armë të shkatërrimit në masë.

Zyrtari që nuk u identifikua tha se Washingtoni nuk ka hequr dorë nga ideja e çarmatimit të Irakut përmes Kombeve të Bashkuara, por se administrata po hyn tani në ”fazën përfundimtare” të mënyrave për të detyruar Bagdadin të çarmatoset.

Ndërkohë, inspektorët e Kombeve të Bashkuara shkuan sot në objekte të tjera të dyshuara, mes së cilëve një kompleks industrial ushtarak pranë Bagdadit.

//rd//

XS
SM
MD
LG