Lidhje

Dhjetori - muaji më i rëndësishëm për bizneset e shitjeve me pakicë - 2002-12-23


Në Shtetet e Bashkuara, dhjetori është muaji më i rëndësishëm për bizneset e shitjeve me pakicë. Për shumë nga dyqanet e vegjël, fakti se sa do të shpenzojnë klientët përcakton ndonjëherë se sa mund të jenë në gjendje t’i rezistojnë ata tregut. Gjatë stinës së festave, vëllimi i shitjeve kap rreth dy të tretën e krejt aktivitetit ekonomik në Shtetet e Bashkuara, prandaj ka rëndësi jetike për amerikanët.

Nita Whitesel është shitëse me pakicë në këtë dyqan të vogël. Ajo ka më shumë se 30 vjet në biznes dhe i njeh mirë ulje ngritjet e tij.

Dyqani quhet Christmas Attic dhe ndodhet në qytetin Alexandria pranë Uashingtonit. Çdo gjë që shitet këtu ka aromën she shijen e Krishtlindjes. Çdo gjë këtu është objekt zbukurimi, të cilat i tërhqein mjaft njerëzit gjatë sezonit të festave. Mirëpo numri i njerëzve që blejnë këtu sa vjen e po pakësohet. Blerësit po drejtohen gjithnjë e më shumë në dyqane të lira si Wal-Mart.

Ne jemi një biznes i vogël familjar - jam unë nëna dhe dy vajzat, po të krahasohemi me rrjetet e mëdha të shitjeve që kanë degë në të gjithë vendin. Tani ndodhemi nën një farë presioni sepse dyqanet e mëdha u ofrojnë blerësve ulje të mëdha çmimesh, 20, 50 e deri 60 përqind, pra na marrin klientët, thotë zonja Whitesel.

Blerjet për Krishtlindje janë në kulmin e tyre këto ditë, por disa shitës shpresojnë se gjendja e tanishme anemike e ekonomisë nuk do t’i dekurajojë njerëzit dhe vëllimi i shitjeve do të jetë i madh.

Megjithëse ka tri dekada në këtë biznes, kompania e Nitës po i ndjen dhimbjet sepse asaj i duhet të konkurrojë me dyqanet e tjerë për të dalë me fitim. 60 e përqind e shitjeve të saj vijnë gjatë 2 muajve e gjysmë, pra gjatë sezonit të festave. Fitimi i saj deri tani ka rënë po të krahasohet me dhjetorin e kaluar.

Nita thotë se njerëzit nuk po blejnë edhe aq shumë këtë vit për shkak të pasigurisë qysh nga 11 shtatori, për shkak të mundësisë së një lufte me Irakun dhe për shkak të papunësisë.

Ulja e ritmeve të ekonomisë jashtë dhe brenda vendit ka bërë që njerëzit të shpenzojnë më pak. Jo se është një kohë frike, por është koha kur njerëzit blejnë atë që është më e rëndësishme. Prandaj edhe Nita sjell në dyqan ato mallra që janë më të rëndësishme për festimin e Krishtlindjes, ato që pasqyrojnë familjen, shtëpinë dhe traditën.

Nita thotë se biznesi i saj do të mbijetojë edhe pse nga shitjet e kësaj stine mund të mos dalë me shumë fitim. Edhe shitësit e tjerë mund të mos e kenë këtë fat, thotë ajo.

Një rrugicë më tej është dyqani për fëmijë Why Not. Edhe aty, malli qarkullon ngadalë.

Menazherja Lisa Schumaier thotë se blerësit kërkojnë ulje çmimesh dhe jo mallra të shtrenjta. Prandaj stafi i saj punon me orë të zgjatura për t’i bërë konsumatorët të blejnë sa më shumë.

Ne përpiqemi të punojmë sa më shumë me klientët dhe të furnizohemi me lodra që dyqanet e mëdha nuk i kanë. Dhjetori është muaji më i rëndësishëm për ne prandaj ka shumë rëndësi që ne tërheqim sa më shumë blerës gjatë këtij muaji. Prandaj ne bëjmë reklama shpërndajmë kupona dhe përpiqemi të jemi sa më të gëzuar.

Lisa shpreson se biznesi i saj nuk do të vuajë aq shumë sa dyqanet e tjerë me pakicë sepse ajo merret me shitjen e lojrave të fëmijëve. Ajo mendon se në kohë të vështirë ekonomike, njerëzit e mendojnë lodrën si diçka që zgjat më shumë dhe që kushton relativisht pak.

Sidoqoftë, shumë nga shitësit me pakicë janë të kënaqur që shohin njerëz në dyqane, megjithëse klientët këto ditë shpenzojnë më pak krahasuar me vitin e kaluar. //rd//

XS
SM
MD
LG