Lidhje

Korrupsioni - një ndër pengesat kryesore ndaj liberalizimit të tregëtisë - 2002-12-23


Korrupsioni është një ndër pengesat kryesore të tregtisë dhe zhvillimit të tregut të lirë. Në një diskutim organizuar nga Instituti Carnegie në Washington, një grup analistësh theksuan se lufta kundër këtij fenomeni, kërkon forcimin e shtetit ligjor, rritjen e kërkesës së llogarisë, transparencë si dhe një vëmendje serioze nga mjetet e shtypit.

Misioni i Organizatës Botërore të Tregëtisë është të rrëzojë pengesat që ka përpara tregëtia e lirë. Por themeluesi dhe Kryetari i organizatës ndërkombëtare kundër korrupsionit Transperancy International Peter Eigen thotë se OBT-ja duhet të ketë parasysh se liberalizimi i tregëtisë mund t’u hapë rrugën disa forcave të tregut që sjellin si rrjedhojë shfrytëzimin e krahut të punës, thellimin e varfërisë dhe acarimin e konflikteve. Një ndër fenomenet më të zakonta dhe po aq shqetësuese të liberalizimit të tregëtisë, shpjegon ai është korrupsioni:

“Korrupsioni është një pengesë e madhe ndaj tregëtisë së lirë, pasi është një praktikë kufizuese biznesi. Korrupsioni është gjithashtu armiku më i madh i kapacitetit dhe afësisë vepruese të një qeverie,” thotë zoti Eigen.

Konkurenca në një mjedis të korruptuar biznesi shkatërron premisën e tregut të lirë se oferta më e mirë si nga pikëpamja e çmimit ashtu edhe e cilësisë duhet të fitojë në treg. Në kushtet e ekzistencës së korrupsionit, rregullat e tregut shtrembërohen nga rryshfetet dhe favoret e padrejta.

Një ndër pasojat më serioze të korrupsionit, theksojnë pjesëmarrësit në diskutim, është krijimi i një kulture dhe ekonomie paralele të paligjshme:

“Personat më të korruptuar nuk janë punonjësit e thjeshtë shtetërorë, por eprorët e tyre kleptokratë që lejojnë dhe ushqejnë këtë problem,” thotë kryetari i organizatës Transparency International Peter Eigen.

Përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Tregëtisë Dorothy Dwoskin thekson rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike në suksesin e luftës kundër korrupsionit.

Por zoti Eigen paralajmëron se demokracia nuk nënkupton automatikisht mungesën e korrupsionit, përndryshe thekson ai, do të ishte e pashpjegueshme ekzistenca e korrupsionit në një vend demokratik si Argjentina, ndërkohë që në një vend, si Kili ku sundonte diktatura e Pinoçetit, korrupsioni ishte shumë i ulët. Një faktor i rëndësishëm është edhe vendosja e shtetit ligjor.

Lufta kundër korrpsionit, theksuan folësit kërkon një angazhim të përgjithshëm të organizatave ndërkombëtare si OBT-ja, si dhe grupeve civile e shtypit. Por arma më e fuqishme dhe më e suksesshme në këtë luftë është transparenca. //ad//

XS
SM
MD
LG