Lidhje

Kalendari Historik 24 dhjetor - 2002-12-24


Më 24 dhjetor 1938, përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe të vendve të tjera të Hemisferës Perëndimore nënshkruan Deklaratën e Limës. Dokumenti shpallte solidaritetin e tyre kundër agresionit të ndonjë diktatori evropian në këtë hemisferë. E nënshkruar në kryeqytetin peruan në prag të Luftës së Dytë Botërore, deklarata mbështeste veprimet e përbashkëta të republikave amerikane për të përballuar një kërcënim të mundshëm të Gjermanisë naziste dhe të Italisë fashiste. Në marrëveshje thuhej se ministrat e jashtëm të Hemisferës Perëndimore ishin të detyruar të mblidheshin nëse njëri prej tyre kërkonte mbajtjen e një konference për të diskutuar rreth një kërcënimi të jashtëm. Kryetari i delegacionit amerikan, Sekretari i Shtetit Cordell Hull, e siguroi konferencën se Presidenti Franklin Roosevelt e mbështeste me forcë deklaratën. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do t’i jepnin mbështetje ushtarake një fushate për të mos lejuar agresionin evropian në Hemisferën Perëndimore.

Më 24 dhjetor 1968, në vigjilje të Krishtlindjes, ekuipazhi prej tre vetësh i anijes së hapësirës Apollo 8, e cila ndodhej në orbitë rreth Hënës, bëri një pushim të shkurtër me rastin e festës. Në një transmetim televiziv nga bordi i anijes, 112 kilometra mbi sipërfaqen e Hënës, astronautët Frank Borman, William Anders dhe James Lovell Junior, lexuan një pjesë nga bibla. Frank Borman e mbylli leximin me këto fjalë: ’’Dhe Zoti tha: le të mblidhen ujrat nën qiell në një vend të vetëm dhe le të shfaqet toka e thatë, dhe kështu u bë. Zoti pa se kjo ishte një vepër e mirë. Nga ekuipazhi i Apollo 8-s, po përfundojmë këtu duke ju uruar natën e mirë, fatbardhësi, gëzuar Krishtlindjet dhe zoti ju bekoftë të gjithë ju që ndodheni në tokën e mirë.” Objektivi kryesor i Apollo 8-s ishte të merrte fotografi nga afër të Hënës, sidomos të atyre zonave që mund të ishin të përshtatëshme për uljen e njeriut në Hënë në të ardhmen. //rd//

XS
SM
MD
LG