Presidenti irakian, Sadam Husein, thotë se sikur inspektimet e Kombeve të Bashkuara të kryhen si duhet, ato do të provojnë se Iraku nuk ka armë të shkatërrimit në masë.
Në një mesazh me rastin e Krishtlindjeve, udhëheqësi irakian shprehu dyshimin se inspektimet nuk do të kryhen siç është parashikuar. Por ai theksoi se qeveria e tij po bashkëpunon me Kombet e Bashkuara për të verifikuar se Bagdadi nuk zotëron armë kimike, biologjike apo bërthamore.
Presidenti Husein tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, me ndihmën e Britanisë, synojnë të fillojnë luftën kundër Irakut për të futur nën kontrollin Lindjen e Mesme dhe burimet e saj. Ai i paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se irakianët janë të gatshëm të japin jetën për të mbrojtur vendin e tyre.
Ndërkohë, inspektorët e OKB-së për armët vazhduan kërkimet për armë të ndaluara edhe sot, Ditën e Krishtlindjeve, duke vizituar disa objekte të dyshuara se përdoren për armë, përfshirë një kompleks ushtarak, një laborator dhe një qendër për grumbullimin e drithit.
Inspektorët intervistuan sot një shkencëtar irakian, i cila tha se Iraku nuk ka armë të shkatërrimit në masë. Zyrtarë të OKB-së thonë se po shqyrtojnë mundësinë e intervistimit të disa shkencëtarëve irakianë jashtë vendit në mënyrë që të parandalojnë kërcënimet nga ana e Bagdadit.
Në Izrael, shefi i shërbimit ushtarak të zbulimit, gjeneral majori Aharon Zeevi, i tha dje parlamentit se nuk ka të ngjarë që të ndërmerret një sulm amerikan kundër Irakut para muajit shkurt.
Inspektorët e OKB-së kanë afat deri më 27 janar të paraqesin raportin mbi bashkëpunimin e Bagdadit me rezolutën e OKB-së që i kërkon Irakut të japë informacion të plotë rreth programeve të tij të armëve. //ad//