Lidhje

Kalendari Historik 26 dhjetor - 2002-12-26


Më 26 dhjetor 1972, vdiq në moshën 88-vjeçare ish presidenti Harry Truman. Trumani, i cili kishte qenë nën-president, u bë president në prill 1945 me vdekjen e Franklin Rooseveltit. Megjithëse jo aq i njohur dhe me përvojë sa Roosevelti, Trumani fitoi respektin e shumë amerikanëve. Ai shërbeu në këtë post kur po mbaronte Lufta e Dytë Botërore dhe kur paqja që pasoi nuk ishte konsoliduar mirë. Trumani u zgjodh president më 1948. Për zgjedhjet e vitit 1952, ai nuk vuri kandidaturë dhe vendin e tij e zuri Dwight Eisenhower. Njëzet vjetët e tjera të jetës, Trumani i kaloi në qytetin e lindjes, Independence të shtetit Missouri. Ai vazhdoi të ishte aktiv dhe merrte pjesë në politikën e Partisë Demokrate, shkruante libra dhe mbante fjalime. Ai e kishte zakon të ecte me hap të shpejtë çdo mëngjes dhe të bisedonte me ata gazetarë që arrinin ta ndiqnin. Trumani u varros në territorin e Bibliotekës që mban emrin e tij në qytetin Independence të Missourit.

Më 26 dhjetor 1966, u festua për herë të parë festa afrikano-amerikane e njohur me emrin Kwanza. Kjo festë është një homazh për kulturën afrikane dhe e merr motivin nga festimi i të korrave në Afrikën e lashtë. Fjala Kwanza vjen nga një frazë që do të thotë ”frutet e para” në gjuhën Swahili. Kjo festë që zgjat 7 ditë u përshtat në formën e saj moderne nga studiuesi afrikano-amerikan Maulana Karenga. Kwanza e ve theksin te rëndësia e familjes dhe e komunitetit. Festimet e Kwanzës përfshijnë recitime, muzikë, ceremoni festive dhe dhurata. Gjatë shtatë ditëve, çdo natë ndizet nga një qiri. Të shtatë ditët përfaqësojnë shtatë parime që janë: uniteti, vetvendosja, puna dhe përgjegjësia kolektive, ekonomia e përbashkët, qëllimi, krijimtaria dhe besimi. Kwanza fillon më 26 dhjetor, ditën pas Krishtlindjes, dhe mbaron Ditën e Vitit të Ri.

//rd//

XS
SM
MD
LG