Lidhje

Në botë vazhdon të forcohet respekti për të drejtat politike dhe civile - 2002-12-27


Pavarësisht nga kërcënimet që paraqet terrorizmi ndërkombëtar, respekti për të drejtat politike dhe liritë civile në mbarë botën. Ky është përfudimi i organizatës Freedom House me qendër në New York, e cila prej tre dekadash ndjek përparimin drejt lirisë.

Në raportin e saj për vitin 2002, organizata Freedom House thotë se në 29 vende u shënuan arritje, krahasuar me 16 vende në vitin 2001. Sipas organizatës Freedom House, katër vende, Brazili, Lesoto, Senegali dhe Jugosllavia, u futën në kategorinë e vendeve të lira. Tetëdhjetë e nëntë vende tani renditen si të lira, shifër kjo dy herë më e lartë se ajo e vitit 1972.

Në zhvillimet negative, studimi vë në dukje se 16 vende shënuan kthim prapa, përfshirë Bregun e Fildishtë, i cili tani renditet në kategorinë e vendeve jo të lira. Organizata Freedom House ka tani në listën e saj 47 vende jo të lira, shumë më pak se shifra prej 69 vendesh në vitin 1972. Pesëdhjetë e gjashtë vende të tjera cilësohen si pjesërisht të lira, krahasuar me 38 vende në këtë kategori tre dekada më parë.

Organizata Freedom House thotë se pjesa e popullsisë së botës që jeton në vende të lira është rritur nga 35 për qind në vitin 1972 në 44 përqind sot. Pjesa e popullsisë së botës që jeton në vende që klasifikohen si jo të lira ka rënë nga 47 për qind në 35 për qind. Përparimi ka qenë më i madh në Amerikën Latine, rajonin e Azi-Paqësorit dhe Evropën Qendrore dhe Lindore. Në Afrikë është bërë përparim modest.

Por siç vë në dukje organizata Freedom House, “Lindja e Mesme dhe shumë vende me shumicë myslimane kanë mbetur në vend për sa u përket niveleve të përgjithshme të lirisë gjatë tri dekadave të fundit.” Ky përfundim përputhet me Raportin për Zhvillimin Njerëzor Arab të vitit 2002, përgatitur nga studiues të shquar arabë dhe të publikuar nga Kombet e Bashkuara. Raporti i Kombeve të Bashkuara theksonte se “Vala e demokracisë që ka ndryshuar qeverisjen në pjesën më të madhe të botës vetëm sa ka prekur vendet arabe. Deficiti në liri minon zhvillimin njerëzor.”

Organizata Freedom House thotë se gjashtë nga nëntë vendet më shtypëse në botë janë në Lindjen e Mesme ose kanë një popullsi kryesisht myslimane. Këto vende janë Iraku, Libia, Arabia Saudite, Sudani, Siria dhe Turkmenistani. Vendet e tjera janë Birmania, Kuba dhe Koreja e Veriut. Por organizata Freedom House thekson se pjesa më e madhe e myslimanëve në botë “jetojnë nën qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike, në vende si Bangladeshi, India, Indonezia dhe Turqia.” Përveç kësaj, është shënuar një farë përparimi drejt reformave politike në Lindjen e Mesme, në vende si Bahreni, Katari dhe Maroku.

Pavarësisht nga nevoja e pamohueshme për përparim të mëtejshëm, siç ka thënë sekretari amerikan i shtetit Colin Powell, Amerika “nuk e pranon nocionin se liria nuk do të zhvillohet në Lindjen e Mesme, apo se ekziston ndonjë rajon në botë që nuk mund të jetojë në demokraci.”

XS
SM
MD
LG