Lidhje

Inspektorët nuk do të largohen nga Koreja e Veriut - 2002-12-27


Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike thotë se inspektorët e saj të energjisë bërthamore do të qendrojnë në Korenë e Veriut, megjithë urdhrin e qeverisë për t’u larguar nga ai vend.

Drejtori i agjencisë, Muhamed El-Baradei, e bëri këtë deklaratë sot, duke thënë se largimi i inspektorëve do t’u jept fund mundësive të agjencisë për të vëzhguar programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Koreja e Veriut i dërgoi një letër zotit El-Baradei, në të cilët thotë se e konsideron misionin e agjencisë në Korenë e Veriut të plotësuar. Radioja zyrtare fajëson Shtetet e Bashkuara për krizën, duke ndërprerë dërgesat e karburantit që ai vend merrete në shkëmbim të pezullimit të programit të saj bërthamor.

Nga ana e saj, administrata e presidentit Bush i bëri sot thirrje Koresë së Veriut që të ndryshojë kursin. Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të hyjnë në negociata në përgjigje të kërcënimeve apo premtimeve të shkelura.

Gjatë dy javëve të fundit, Koreja e Veriut ka hequr vulat mbrojtëse dhe aparatet e përgjimit nga kompleksi bërthamor në Yongbyon. Ajo po i transferon shufrat e përdorura bërthamore tek reaktori kryesor, mesa duket për procesin e ripërpunimit.

Ndërkohë udhëheqës nga Britania, Rusia dhe Kina po u kërkojnë Shteteve të Bashkuara të zgjidhin krizën bërthamore të Koresë së Veriut me dialog dhe jo konfrontim.

Politikanët britanikë dënuan hapat e kohëve të fundit të Penianit për të riaktivizuar programin bërthamor, por shprehën edhe shqetësim ndaj vlerësimit nga ana e administratës së presidentit Bush se ushtria amerikane mund të luftojë njëkohësisht kundër Irakut dhe Koresë së Veriut. Politikani i lartë konservator, Malcom Rifkind, shkruan në gazetën Times të Londrës se Pheniani përbën një kërcënim më serioz dhe më të pranishëm ndaj sigurimit global sesa Bagdati.

Rusia akuzoi Shtetet e Bashkuara se nxiti krizën bërthamore duke shkelur premtimin e vitit 1994 për të furnizuar Korenë e Veriut me karburant dhe dy centrale bërthamore për prodhimin e energjisë elektrike. Ministri i energjisë atomike, Alexander Rumantsev, u tha sot gazetarëve se pa energji, Koreja e Veriut nuk ka rrugëdalje tjetër veç të riaktivizojë programin e tij bërthamor.

Ministria e jashtme kineze thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Korea e Veriut duhet të respektojnë marrëveshjen e vitit 1994 dhe të zgjidhin problemet përmes dialogut. Gazeta zyrtare China Daily kritikon sekretarin amerikan të mbrojtjes, Donald Rumsfeld, për ato që i cilëson si deklarata të rrezikshme reth fuqisë së ushtrisë amerikane.

//rd//

XS
SM
MD
LG