Lidhje

Inspektorët do të largohen nga Koreja e Veriut - 2002-12-28


Agjencia e Kombeve të Bashkuara, e ngarkuar për të vëzhguar programin bërthamor të Koresë së Veriut, thotë se inspektorët do të zbatojnë kërkesën e Penianit për t’u larguar nga vendi.

Zyrtarë të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike thonë se inspektorët do të largohen nga centrali bërthamor në Jongbion sa më shpejt që të munden drejt Penianit dhe të largohen nga Koreja e Veriut me avionin e parë të martën.

Më parë, kjo agjenci ishte shprehur se inspektorët do të qëndronin në Korenë e Veriut, së cilës i kishte kërkuar gjithashtu të anulonte urdhërin për largim.

Zhvillimet e fundit ndodhën pasi Koreja e Jugut njoftoi planet për të dërguar përfaqësues të saj në Kinë dhe Rusi për të diskutuar rrugët për bindjen e Koresë e Veriut që të ndalë riaktivizimin e programit të saj bërthamor.

Zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut thonë gjithashtu se Seuli do të zhvillojë bisedimet tripalëshe në fillim të muajit janar me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë.

Koreja e Veriut tha gjithashtu se do të riaktivizojë një laborator radio-kimik i cili mund të përdoret për prodhimin e plutoniumit të pasuruar për armë bërthamore.

XS
SM
MD
LG