Lidhje

Çështja e Koresë së Veriut do t'i paraqitet Këshillit të Sigurimit - 2002-12-29


Zyrtarë amerikanë thonë se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të rrisin trysninë dipolomatike dhe ekonomike për të detyruar Korenë e Veriut që të braktisë programin e saj të armëve bërthamore.

Zyrtarët thanë të shtunën se administrata e presidentit Bush do ta bashkërendojë strategjinë me Korenë e Jugut, Japonin dhe Kombet e Bashkuara.

Ata thanë gjithashtu se administrata amerikane është inkurajuar nga vendimi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, agjencia e Kombeve të Bashkuara e ngarkuar për të vëzhguar programin bërthamor të Koresë së Veriut, për t’ia paraqitur këtë çështje Këshillit të Sigurimit, ku mund të bëhen kërcënime për vendosjen e sanksioneve ekonomike.

Të premten, Koreja e Veriut e urdhroi agjencinë të largohet nga vendi dhe zyrtarët e agjencisë thonë se inspektorët e saj do të veprojnë në përputhje me këtë urdhër.

Pritet që ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Kelly, të vizitojë rajonin muajin tjetër për diskutime rreth krizës dhe përpjekjeve për të krijuar një front të përbashkët kundër Phenianit.

Ndërkohë, Koreja e Jugut njoftoi se ka në plan të dërgojë përfaqësues të saj në Kinë dhe Rusi për diskutime rreth mënyrave për të bindur Phenianin që të ndëpresë procesin e riaktivizimit të programit të saj bërthamor.

Koreja e Veriut thotë se është e detyruar të vërë përsëri në përdorim reaktorët e saj bërthamorë për të prodhuar energji elektrike, pasi Shtetet e Bashkuara ndërprenë furnizimin me naftë, siç parashikohej nga një marrëveshje ndërkombëtare. Zyrtarë perëndimorë hedhin poshtë variantin e ngjarjeve të paraqitur nga Koreja e Veriut.//xh//

XS
SM
MD
LG