Lidhje

Senatorë amerikanë kritikojnë komentet e Sekretarit Powell - 2002-12-29


Disa anëtarë të senatit amerikan po kritikojnë pretendimin e sekretarit të shtetit, Colin Powell, se mosmarrëveshja lidhur me programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut nuk është krizë.

Senatori demokrat Joseph Lieberman tha për rrjetin televiziv CBS se gjendja me Korenë e Veriut përbën një krizë dhe se administrata e presidentit Bush po bën që një gjëndje e vështirë të shndërohet në një gjendje të rrezikshme.

Senatori Lieberman bëri thirrje për bisedime të drejtëpërdrejta midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, megjithatë ai shtoi se Washingtoni duhet të lërë hapur alternativën e përdorimit të forcës ushtarake për të ndaluar programin bërthamor të Penjanit.

Senatori tjetër demokrat, Joseph Biden, tha se kërcënimi nga Korea e Veriut është më i afërt se sa kërcënimi nga Iraku. Ai tha në rrjetin televiziv NBC se Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin një qëndrim shumëpalësh dhe të kërkojnë vendosjen e sanksioneve ekonomike kundër Koresë së Veriut për të zgjidhur mosmarrëveshjen.

Republikani Richard Lugar, kryetari i ardhshëm i komisionit të senatit për marrëdhëniet me jashtë, ishte i një mendimi me kolegët e tij demokratë se gjendja në Korenë e Veriut përbën një krizë. Megjithatë ai shtoi se ka ende kohë për të përdorur doplomacinë dhe për të punuar nëpërmjet Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e gjendjes së krijuar. //az//

XS
SM
MD
LG