Lidhje

Washingtoni shpreson për një zgjidhje paqesore të krizës irakiane - 2002-12-30


Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, tha se Washingtoni shpreson për një zgjidhje paqesore të krizës irakiane Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrë ndonjë vendim përfundimtar për të sulmuar Irakun, por vazhdojnë të përgatiten ushtarakisht për çdo gjë që të jetë e nevojshme.

Sekretari Powell tha të dielen në rrjetet televizive amerikane, se administrata e presidentit Bush shpreson për një zgjidhje paqësore të krizës irakiane, por po dislokon forca ushtarake në mënyrë që ato të jenë të gatshme për veprim.

Zoti Powell i bëri këto komente disa ditë pasi sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, dha urdhër për dislokimin e forcave tokësore, avionëve luftarakë dhe të mbështetjes logjistike në rajonin e Gjirit Persik. Këto forca, së bashku me dy grupe anijesh luftarake me aeroplanmbajtëse dhe një anije-spital me një mijë shtretër, do të dyfishojnë forcën prej afro 50 mijë trupash amerikane që tashmë shërbejnë në atë rajon.

Ndërkohë, në Irak, inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët kontrolluan të dielen selinë e shërbimeve doganore të Irakut në Bagdad dhe objekte të tjera për prova rreth armëve të fshehura të shkatërrimit në masë. Mbi 100 inspektorë të OKB-së ndodhen në Irak, ku po kërkojnë për armë të ndaluara bërthamore, kimike e biologjike si edhe për raketa balistike.

Po të dielen, zjarrfikësit irakianë u dërguan në selinë e inspektorëve të Kombeve të Bashkuara, pas njoftimeve për një qark të shkurtër elektrik. Nuk ka pasur njoftime për të lënduar apo për dëme të rënda materiale.//xh//

XS
SM
MD
LG