Lidhje

Annan: nuk sheh arsye për veprim ushtark kundër Irakut - 2002-12-31


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, tha se aktualishti nuk sheh asnjë arsye për veprim ushtark kundër Irakut.

Zoti Annan i tha të martën radio Izraelit se është i kënaqur me kushtet e punës së inspektorëve të OKB-së për armët në Irak. Ai theksoi se Iraku po bashkëpunon dhe inspektorët kanë qenë në gjendje të bëjnë punën e tyre pa pengesa.

Sekretari i Përgjithshëm tha se inspektorët duhet të lejohen të përfundojnë punën e tyre para se të ndërmeren veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, inspektorët kontrolluan të martën 8 objekte në Irakun qendor në kuadër të operacionit të kërkimit për armë të ndaluara.

Mes këtyre objekteve ishte një kompani inxhinierie, pronë e Korporatës së Industrisë Ushtarake, një njësi kimike ushtarake në perëndim të Bagdadit dhe një qendër kërkimore nafte. Inspektorët vizituan edhe një uzinë elektronike si edhe një qendër kërkimore mjekësore.

Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Irakun se ka grumbulluar armë të shkatërrimit në masë dhe thonë se nëse është nevoja, ato do të përdorin forcën për të çarmatosur Irakun.//xh//

XS
SM
MD
LG