Lidhje

Irak: Inspektorët e fillojnë vitin e ri me kërkimet për armë - 2003-01-01


Inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët në Irak e filluan vitin e ri duke bërë kërkime të tjera për armë të ndaluara në zonën e Bagdadit.

Njoftohet se ekipet e inspektimit vizituan të mërkurën të paktën dy objekte, një ofiçinë makinash dhe një kompleks të madh që ka lidhje me programin irakian të raketave. Inspektorët po përgatiten të fillojnë përdorimin e helikopterëve për herë të parë që kur mbërritën në Irak në muajin nëntor dhe të hapin një zyrë në qytetin verior të Mosulit.

Të martën presidenti Bush tha se ende shpeson që ballafaqimi me Irakun rreth armëve të shkatërrimit në masë të përfundojë në mënyrë paqesore. Ai theksoi të martën se zgjedhja midis paqes dhe luftës varet nëse Sadam Huseinit vendos t’i dorëzojë armët e tij të shaktërrimit në masë apo jo.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të grumbullojnë forca ushtarake në rajonin e Gjirit Persik. Zyrtarë ushtarakë thanë të martën se një divizion prej rreth 17 mijë trupash u urdhërua të niset për në rajonin e Gjirit branda pak javësh.

Ky do të jetë dislokimi më i madh i forcave tokësore që nga lufta e Gjirit Persik në vitin 1991. Pritet që deri nga fundi i muajit, në rajonin e Gjirit të vendosën të paktën 100 mijë ushtarë amerikanë.//kk//

XS
SM
MD
LG