Lidhje

Bush shpreson që Iraku të heqë dorë vullnetarisht nga armët e shkatërrimit në masë - 2003-01-01


Presidenti Bush tha se shpreson që Iraku do të heqë dorë vullnetarisht nga armët e tij të shkatërrimit në masë dhe do të shmangë ndërhyrjen ushtarake. Presidenti tha se zgjedhja midis paqes dhe luftës do të varet në se presidenti irakian Sadam Husein bie dakord të dorëzojë çdo armë të ndaluar. Duke u përgjigjur rreth një raporti, sipas të cilit parashikohet që kostoja e luftës me Irakun të arrijë në 60 miliardë dollarë, zoti Bush tha se detyra e tij kryesore është mbrojtja e popullit amerikan.

Presidenti Bush tha se bota është e bashkuar dhe i dërgon Irakut një sinjal të qartë se duhet të heqë dorë nga armët e dyshuara kimike dhe biologjike ose do të përballet me pasoja ushtarake.

Duke folur me gazetarët afër fermës së tij në Texas, presidenti tha se deri tani përgjigja e udhëheqësit irakian Sadam Husein ka qënë shkurajuese.

“Shpresoj që çështja e Irakut do të zgjidhet në mënyrë paqësore. Një prej rezolutave të mija të vitit të ri është që të punoj për të kapërcyer këto situata në një mënyrë që ato të zgjidhen në mënyrë paqësore. Por deri tani duket se Sadam Huseini nuk e ka dëgjuar mesazhin tonë.”

Washingtoni thotë se Iraku u dha Kombeve të Bashkuara një deklaratë jo të plotë të programeve të tij të armëve dhe mendon që ky vend vazhdon të fshehë armë të paligjshme.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të bashkuara i tha dje radios izraelite se Iraku po bashkëpunon me inspektorët e OKB-së për armët dhe se tani për tani ai nuk shikon ndonjë arsye për ndërhyrje ushtarake.

//ze//

XS
SM
MD
LG