Lidhje

Sigurimi në Afganistan - 2003-01-01


Një vit më parë, në Afganistan sundonte regjimi ekstremist taleban dhe strehoheshin terroristët e al-Kaidës. Ky ishte një vend i shkatërruar dhe i rrezikshëm.

Sot, me ndihmën e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, Afganistani po fillon ta marrë veten pas vitesh të tëra problemesh të shkaktuara nga keqqeverisja dhe lufta civile. Gjatë vitit të kaluar, më shumë se 2 milionë refugjatë u kthyen në shtëpitë e tyre në Afganistan.

Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar me hapjen ose rihapjen e 600 shkollave. Më shumë se 9 milionë tekste shkollore u janë shpërndarë fëmijëve afganë. Ka filluar edhe rindërtimi i sektorit bujqësor. Kanë filluar më shumë se 6 mijë projekte ujitjeje dhe kullimi dhe fermerëve afganë u janë dhënë 7 mijë tonë farëra. Gjatë dekadës së fundit, më shumë se 39 milion dollarë ndihma amerikane për heqjen e minave kanë lehtësuar vuajtjet e banorëve dhe kanë kthyer në përdorim sipërfaqe të mëdha toke të punueshme.

Por siç tha presidenti afgan, Hamid Karzai, sigurimi është përparësia kryesore. Rindërtimi është i parealizueshëm pa sigurim. Aktualisht, sipas Zëvendës-Ndihmës Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Joseph Collins, 26 nga 33 provincat e Afganistanit “kanë kushte të moderuara deri në kushte të mira sigurie,” dhe “elementët negativë kanë marrë një goditje dërrmuese.” Por ende ka probleme të mëdha në Afganistanin lindor dhe juglindor si dhe në disa rajone urbane.

Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të ndjekin dhe të kapin ose të vrasin forcat e mbetura talebane dhe të al-Qaidës. Siç u shpreh zoti Collins, “Nuk ka program taleban apo të al-Kaidës për rindërtim. Për ta ka vetëm program për shkatërrim.”

Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë për krijimin e një ushtrie kombëtare afgane shumë-etnike. Gjermania po ndihmon për krijimin e një force policore afgane. Dhe Britania, Japonia e vende të tjera së bashku me Kombet e Bashkuara po udhëheqin përpjekjet e kualifikimit për forcat kundër narkotikëve.

Në një tjetër zhvillim pozitiv, më 22 dhjetor Afganistani dhe gjashtë vende fqinje nënshkruan Deklaratën e Kabulit për Marrëdhënie të Mira ndërmjet Fqinjëve, një zotim për të respektuar pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Afganistanit.

Siç tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Richard Boucher, “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë janë të angazhuar për të ndihmuar popullin afgan të krijojë një vend të begatë, demokratik, në paqe brenda kufijve dhe me fqinjët e tij, ku të ketë një treg të lirë dhe të respektohen të drejtat e njeriut.”

XS
SM
MD
LG