Lidhje

Kenia zgjedh presidentin e ri pas 24 vjetësh - 2003-01-02


Kenia ka tani një president të ri. Pas fitores në zgjedhjet e 27 dhjetorit, Mwai Kibaki i koalicionit opozitar Ylberi Kombëtar mori postin e presidentit më 30 dhjetor. Është hera e parë që partia në fuqi, Bashkimi Kombëtar Afrikan i Kenias, humb në zgjedhjet presidenciale që kur vendi fitoi pavarësinë nga Britania në vitin 1963.

Ambasadori amerikan në Kenia, Johnnie Carson e quajti inagurimin një ditë historike për vendin. Ai tha se zgjedhjet janë një mundësi që Kenia “të fillojë të korrigjojë fatkeqësitë ekonomike që e kanë prekur gjatë dekadës së fundit”.

Kenia ka vuajtur për një kohë të gjatë nga varfëria dhe korrupsioni. Presidenti Kibaki ka premtuar se ”do të sjellë përsëri kulturën e përparimit, të përgjegjshmërisë dhe të transparencës në postet publike”.

Presidenti Kibaki i ze vendin Daniel arap Moit të cilit iu kërkua të dilte në pension pas 24 vjetësh në këtë post. Presidenti i vetëm tjetër i Kenias ka qenë udhëheqësi i pavarësisë, Jomo Kenyatta, i cili vdiq në vitin 1978.

Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të mbështesin Kenian dhe qeverinë e saj të re. Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit, Richard Boucher tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë të punojnë me presidentin Kibaki “për çështjet e paqes dhe sigurisë rajonale, të drejtat e njeriut, antiterrorizmin, përmirësimin e tregëtisë, shtimin e vendeve të punës dhe të investimeve si edhe në luftën kundër Sidës”.

Zoti Boucher tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara “përshëndesin kandidatët e tjerë për president të Kenias, si Uhuru Kenyatta dhe Simeone Nyachae të cilët i pranuan me dinjitet rezultatet dhe kanë premtuar të luajnë një rol konstruktiv në Asamblenë Kombëtare”.

Shtetet e Bashkuara njohin rolin e rëndësishëm që ka luajtur presidenti i mëparshëm Moi në sigurimin e një tranzicioni të qetë. Siç tha zoti Boucher, “populli i Kenias ka demonstruar fuqishëm vendosmërinë e tij demokratike dhe ka dhënë një shembull të mirë për Afrikën dhe mbarë botën”.

//rd//

XS
SM
MD
LG