Lidhje

Bush ka besim se kriza bërthamore me Korenë e Veriut mund të zgjidhet në rrugë diplomatike - 2003-01-02


Një nga këshilltarët kryesorë të Presidentit të zgjedhur të Koresë së Jugut, Roh Moo-Hyun tha se zoti Roh ka në plan ta zgjidhë krizën bërthamore të Koresë së Veriut. Lim Chae-Jung, i cili kryeson ekipin e tranzicionit të Presidentit, tha sot se ky plan do të kërkonte koncesione si nga Shtetet e Bashkuara ashtu edhe nga Korea e Veriut.

Ai nuk dha hollësi, por tha vetëm se Presidenti Roh do ta paraqesë planin e tij nga mesi i këtij muaji. Zoti Roh, i cili fillon detyrën më 25 shkurt, ka thënë se kriza në Gadishullin Korean mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet dialogut dhe kompromisit. Ai ka thënë gjithashtu se ka besim se do ta zgjidhë atë.

Presidenti Bush u tha gazetarëve të enjten se Shtetet e Bashkuara po punojnë me aleatët e tyre në rajon, duke përfshirë edhe Korenë e Jugut, që t’i shpjegojnë qartë Koresë së Veriut se ndërtimi i armëve bërthamore nuk është në interesin e saj. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se nuk do ta pengojë nismën e Koresë së Jugut, por shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të përkulen para shantazhit të Fenianit.

Po ashtu dje, Presidenti Bush iu kundërvu udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Il, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë simpati për dikë që bën popullin e vet të vuajë nga uria. Zoti Bush tha se Shtetet e Bashkuara janë një nga dhuruesit më të mëdhenj të ushqimeve në botë për Korenë e Veriut. Por ai tha se populli koreanoverior është duke ndjerë urinë sepse zoti Kim nuk preokupohet në se ata kanë artikuj të mjaftushëm ushqimorë apo nëse ekonomia e vendit është e fortë. Zyrtarët amerikanë thonë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndonjë plan që të shkurtojnë furnizimet me ushqime të Koresë së Veriut gjatë këtij viti.//ic//

XS
SM
MD
LG