Lidhje

Berisha: Ekzistenca e një qeverie të fortë dhe një opozite të fortë konsolidon demokracinë - 2003-01-02


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thekson në një intervistë me Zërin e Amerikës nevojën për një bashkërendim të përpjekjeve të të gjitha forcave politike të opozitës për të dalë me një program të përbashkët për zgjidhjen e problemeve në vend. Zoti Berisha thotë se opozita, ashtu siç ka votuar gjatë vitit të fundit në parlament së bashku për të gjitha çështjet madhore, duhet të bashkohet tani për të përcaktuar problemet dhe programin për zgjidhjen e tyre bashkërisht. Për vendin do të ishte një zhvillim shumë pozitiv ekzistenca e një qeverie të fortë dhe një opozite të fortë. Kjo, vazhdon zoti Berisha, nuk nënkupton dëmtimin e partive të vogla, por duke punuar për një qeveri të fortë dhe një opozitë të fortë do të konsolidohej demokracia.

Strategjia e opozitës, thekson Kryetari i Partisë Demokratike, do të përqendrohet në dy drejtime kryesore: në alternativën për zgjidhjen e problemeve me të cilat ndeshet shoqëria shqiptare si krimi i organizuar, lidhjet e politikës me krimin e organizuar, papunësia dhe kriza energjitike, si dhe përpjekjet për integrim në institucionet ndërkombëtare. Një tjetër drejtim do të jetë kritika e fortë ndaj problemeve të qeverisjes aktuale, që e ka çuar vendin buzë një krize të madhe.

Objektivi më madhor i Partisë Demokratike, thekson kryetari i saj, Dr. Sali Berisha, është trajtimi i problemeve në zgjedhje për t’u rikthyer qytetarëve të drejtën e votës, pa të cilën ata nuk mund të kenë qeverisjen që meritojnë.

XS
SM
MD
LG