Lidhje

Shtetet e Bashkuara dënojnë përdhunimet në Birmani - 2003-01-03


Shtetet e Bashkuara janë të tronditura nga njoftimet sipas së cilave ushtria birmaneze po përdor përdhunimin si armë kundër civilëve në rajone të vendit ku jetojnë shumë pjesëtarë të grupeve të pakicave etnike. Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqimisht përdhunimin dhe të gjitha format e tjera të dhunës seksuale kundër civilëve.

Një hetues i Departamentit amerikan të Shtetit foli kohët e fundit me viktima të përdhunimeve dhe forma të tjera mizore. Mes tyre ishte një vajzë 13 vjeçare, një grua shtatë muaj shtatzënë dhe disa gra të moshuara. Përveç përdhunimeve, ato treguan edhe për tortura dhe ekzekutimin e anëtarëve të familjeve të tyre.

Shtetet e Bashkuara i kanë shprehur qeverisë birmaneze shqetësim të madh për këto shkelje dhe i kanë kërkuar asaj të hetojë plotësisht secilën nga akuzuat për përdhunim sistematik të vajzave dhe grave në Birmani, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe të dënojë personat përgjegjës për këto krime të tmerrshme.

Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara kanë punuar nga afër me vende të tjera për të hartuar një rezolutë për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku të dënohen shkeljet e të drejtave të njeriut në Birmani dhe të bëhet thirrje për bashkëpunim në një hetim të pavarur lidhur me akuzat për përdhunim dhe shkelje të tjera, kudo që ato ndodhin. Përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar organizatës botërore që të ndërmarrin një hetim serioz për njoftimet për përdhunim sistematik.

Përdhunimet e njoftuara janë të fundit mes një sërë shkeljesh nga ana e diktaturës ushtarake birmaneze ndaj popullit të Burmës. Në maj të vitit 1990, populli birmanez votoi me shumicë dërrmuese për të zëvendësuar regjimin ushtarak me një demokraci civile. Por gjeneralët nuk pranuan të heqin dorë nga pushteti.

Në maj të vitit 2002, me nxitjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, junta birmaneze më në fund e liroi udhëheqësen e opozitës, Aung San Suu Kyi nga arresti shtëpiak. Por gjeneralët nuk e mbajtën kurrë premtimin për të filluar një dialog me partinë e saj. Regjimi birmanez vazhdon të mos lejojë pasqyrimin nga shtypi të veprimtarive të zonjës Aung Suu Kyi dhe përkrahësve të saj. Dhe rreth një mijë kundërshtarë politikë vazhdojnë të mbahen në burgjet e vendit.

Regjimi birmanez duhet të ushtrojë kontroll mbi trupat e saj dhe t’i mbajë ato përgjegjëse për veprimet e tyre. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i kërkojnë regjimit birmanez të bashkëpunojë në një hetim të pavarur dhe të ndërmarrë hapa konkrete për të dënuar ata që mund të kenë shkelur ligjet e vendit, ato ndërkombëtare humanitare, ose ligjet e luftës.//kk//

XS
SM
MD
LG