Lidhje

Inspektorët e OKB-së për armët kryen inspektimet e tyre të para në Basra - 2003-01-04


Inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët kryen inspektimet e tyre të para në qytetin port Basra, në Irakun jugor dhe po bëhen gati të hapin një bazë në pjesën më veriore të vendit.

Inspektorët vizituan sot një universitet bujqësor në Basra, që ndodhet afër Gjirit Persik dhe pranë kufijve si me Kuvajtin edhe me Iranin. Një ekip tjetër inspektimesh ka në plan të shkojë sot në pjesën veriore të Irakut për të ngritur një bazë për inspektorët në Mosuf.

Ndërkaq, specialistë të Kombeve të Bashkuara për armët bërthamore shkuan në një uzinë afër Bagdadit dhe ekspertë të tjerë të armëve vizituan një fabrikë alkoholi jo shumë larg kryeqytetit.

Zyrtarë irakianë thonë se inspektorët e OKB-së kanë vizituar 230 qendra, që kur u kthyen në Irak nga fundi i nëntorit për herë të parë pas 4 vjetësh. Deri më 27 janar, inspektorët do tia paraqesin rezultatet e punës së tyre Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Bush thotë se çdo luftë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Irakut nuk do të jetë pushtim por një betejë për çlirimin e popullit të Irakut nga sundimi i Saddam Husseinit.

Duke folur dje para mijra trupave amerikane të stacionuara në Teksas, zoti Bush paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë me vendosmëri dhe do të fitojnë, në qoftë se Presidenti i Irakut, Saddam Hussein nuk heq dorë nga armët e shkatërrimit në masë.

Zoti Bush tha se Presidenti i Irakut po i sfidon Kombet e Bashkaura, duke mos zbuluar listën e armëve të Irakut, por ai tha se Presidenti Saddam ka ende kohë të veprojë në përputhje me kërkesat e Kombeve të Bashkuara. Presidenti Bush tha se ai preferon një zgjidhje paqësore të ballafaqimit me Bagdadin.

Por ai tha se deklarata që i ka dhënë Iraku kohët e fundit Kombeve të Bashkuara mbi armët nuk është e besueshme, pasi ajo nuk përmban armët kimike dhe biologjike. //ze//

XS
SM
MD
LG