Lidhje

Bush: shenjat e fundit nga Iraku nuk janë të mira - 2003-01-07


Presidenti Bush e bëri të qartë se shenjat e fundit nga Iraku nuk janë të mira. Ai iu referua raportit të fundit që Iraku u paraqiti Kombeve të Bashkuara lidhur me armët e tij të shkatërrimit në masë dhe komenteve të bëra dje nga udhëheqësi irakian në një fjalim të transmetuar nga televizioni.

Në këtë fjalim Sadam Huseini akuzonte inspektorët e armëve të OKB-së se po merreshin me veprimtari spiunazhi. Presidenti Bush e hodhi poshtë këtë akuzë.

“M’u duk një deklaratë e çuditshme nga ana e tij. Kjo plus fakti që deklarata e tij dukej qartë se ishte e mangët, na shkurajon ne që duam ta zgjidhim këtë çështje në mënyrë paqësore.”

Zotin Bush e pyetën për fjalimin e udhëheqësit irakian gazetarët, pasi ai përfundoi takimin e parë zyrtar të vitit të ri me kabinetin e tij. Kur kanë mbetur vetëm tri javë nga dita që inspektorët e armëve të OKB-së duhet të paraqesin raportin e tyre lidhur me ato që kanë gjetur në Irak, presidenti përsëri i bëri thirrje Sadam Huseinit që t’i dëgjojë kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për çarmatim.

“Bota i ka thënë Sadam Huseinit se ai nuk duhet të ketë armë të shkatërrimit në masë, se duhet të heqë dorë prej tyre. Deri tani me sa duket ai nuk e ka respektuar këtë kërkesë. Por ka akoma kohë.”

Më parë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, i cilësoi si të dëshpëruara akuzat se inspektorët e armëve po merren me spiunazh. Ai tha se inspektorët e armëve janë në një mision ndërkombëtar nën kujdesin e OKB-së dhe theksoi se puna e tyre duhet të vazhdojë.

“Deklaratat e Sadam Huseinit, në të cilat ai akuzon inspektorët e armëve se po merren me spiunazh, janë një përpjekje për të larguar vëmendjen e opinionit nga fakti se Iraku nuk ka treguar shenja se do të heqë dorë nga armët e shkatërrimit në masë.”

Zoti Fleischer tha se në bazë të njoftimeve të shtypit, Iraku nuk ka nguruar të përgjojë bisedat e ekipit të inspektorëve në të kaluarën. Ai tha se pajisje përgjimi ishin vënë në dhomat e tyre dhe bisedat e tyre ishin përgjuar.

“Inspektorët janë duke vepruar shumë, shumë mirë. Dhe presidenti i vlerëson lart përpjekjet e tyre. Por mos harroni mjedisin në të cilin ata punojnë. Janë irakianët ata që po u nxjerrin atyre pengesa.”

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë përdori fjalë më të ashpra lidhur me komentet që Sadam Huseini bëri në fjalimin e tij për dy shpërthimet vetëvrasëse të së dielës në Tel Aviv. Udhëheqësi irakian i lavdëroi autorët e këtyre shpërthimeve. Zoti Fleischer i quajti të llahtarshme këto lëvdata.

Më pas zëdhënësin e Shtëpisë së Bardhë e pyetën rreth kundërpërgjigjes izraelite ndaj këtyre sulmeve terroriste, duke përfshirë edhe vendimin për të mos i lejuar zyrtarët palestinezë që të mbajnë takimet e tyre kryesore në Bregun Perëndimor dhe jashtë vendit.

Ai vuri në dukje se të paktën 22 veta u vranë nga shpërthimet e së dielës në Izrael, që ai i quajti një akt terrorist me përmasa shumë të mëdha. Zoti Fleischer tha se izraelitët kanë të drejtë të mbrohen, por shtoi se ata duhet të kenë parasysh pasojat.

//ze//

XS
SM
MD
LG